Emri i tij spikat më shpesh ndoshta çdo javë që luhen ndeshjet e kampionateve të futbollit, ato të Superligës apo të Kategorisë së Parë. Bledar Mesi është gjyqtar anësor dhe përfaqëson kolegjiumin e gjyqtarëve të Tiranës ngaqë prej vitesh jeton në kryeqytet. Ai nuk është vetëm gjyqtar futbolli por edhe një atlet jo dosido por një kampion i vërtetë. Në këtë rast, ai nuk ka zgjedhur kryeqytetin. Lidhjet me Shkodrën, qytetin e tij të lindjes i ka mbajtur shumë të ngushta dhe këtë e tregon më së miri edhe fakti që ai vazhdon të përfaqësojë Vllazninë. Mesi prej shumë vitesh garon në garat e gjatë, ata që njihen ndryshe si të gjysmëthellësisë teksa është ndër sportistët më të mirë të vendit në këtë disiplinë. Një vlerësim që e ka arritur falë sukseseve tëtij sepse mban disa tituj kampion i Shqipërisë. E ka nisur këtë rrugë duke dalë kampion në garën e 3000 metrave me pengësë që në vitin 1999 dhe vazhdon të jetë kampion deri më tani në vitin 2011. Katër vjet ka garuar për Studentin duke ia dhuruar atij titujt kampion dhe vitet e tjera me Vllazninë. Bledar Mesi është I datëlindjes 11.5.1982 dhe sukseset e tij janë të shumta edhe në arenën ndërkombëtare teksa sivjet ka arritur kohën më të mirë të tij në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Serbi me rezultatin 9 min 23 sek. Po ashtu, ai ka marrë pjesë edhe në tre maratona ku rezultatin më të mirë e ka në Itali ku ka arritur kohën 2 orë e 50 min për distancën prej 42 km e 195 metrash. Bledar Mesi ka mbaruar edhe Akademinë e Edukimit Fizik “Vojo Kushi” duke qenë I kompletuar në të gjitha drejtimet. Ai vazhdon të mbetet një nga atletët më të mirë të klubit Vllaznia në vitet ’00 duke dhuruar jo pak pikë për skuadrën në renditjen ekipore.