Vllaznia në volejboll për femra ka humbur sot në ndeshjen e tretë të kampionatit, atë që ka luajtur ndaj Studentit në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Ndeshja ka qenë e një niveli të dobët teksa volejbollistet e Studentit kanë fituar setin e parë në shifrat 25-18. Vllaznia arrin të barazojë setet pas fitores në setin e dytë 25-22 ndërkohë që nuk ka mundur të bëjë dot gjë më tepër ngaqë Studenti ka fituar edhe dy setet e fundit me të njëjtin rezultat, 25-14. Nga sa është parë në këtë takim, tek Vllaznia ra në sy dobësia në pritjen e topit të parë, çka solli edhe pësimin e shumë pikëve. Megjithatë seti I marrë në këtë ndeshje, tregon më së miri se skuadra e trajneres Sadije Gogaj po vjen duke e rritur nivelin e saj nga ndeshja në ndeshje.