Ada barazon 1-1 në Ersekë me Gramozin
Vetëm pak minuta nuk kanë mundur ta ruajnë dot epërsinë futbollistët e Adës. Ata shënuan të parët në ndeshjen e luajtur sot pasdite në stadiumin e qytetit të Ersekës me Gramozin vendas. Goli është shënuar në minutën e 78-të me autor Fatjon Verrin dhe kur dukej se velipojakët po shkonin drejt fitores, vendasit kanë rritur presionin dhe kanë shënuar pas një rrëmuje në zonë pikërisht në minutën e dytë shtesë të ndeshjes. Duhet përmendur fakti që Ada ka luajtur për 30 minuta në pjesën e dytë me 10 futbollistë ngaqë mesfushori Orges Lini është ndëshkuar me karton të kuq nga ana e gjyqtarit të ndeshjes, për plotësim të numrit dy të kartonave të verdhë. Për të dytin, drejtuesit e Adës kanë rezervat e tyre ndaj gjyqtarit ngaqë ka qenë thjesht një prekje e topit me dorë pa dashje e Linit megjithatë gjyqtari I ka nxjerrë kartonin. Pavarësisht se me 10 futbollistë, kjo skuadër ka luajtur mjaft mirë dhe ka arritur të marrë një pikë shumë të rëndësishme duke qenë kështu sërish në vendet e para të renditjes, tashmë në kuotën e 9 pikëve. Por ajo që vlen është për t’u përmenduar se në 5 ndeshje, Ada ende nuk e njeh shijen e humbjes. Besëlidhja ndërkohë ka barazuar në Lushnjë 1-1 në ndeshjen e sotme.