Të gjithëve u kanë bërë përshtypje fjalët e të madhit Sabah Bizi në ceremoninë e sotme të varrimit të Ardian Arrës. Më shumë se ato, lotët që ai ka nxjerrë nga sytë kur ka folur për televizionet e pranishme në këtë ceremoni. “Me sinqeritetin ma të madh u tham se Ardian Arra ishte dhuntia e Zotit në futboll. Një futboll i përkryer në fushë, me të gjitha të dhanat për të luajtur futboll. Një mrekulli e Zotit. Kurrë nuk do më hiqet mendja nga një ndeshje që më ka mbetur edhe sot në mendje. Ajo që Vllaznia luante vite më parë me Panathinaikos. Ndër 22 futbollistët në fushë, ai që spikaste ishte Ardian Arra. Nëse të tjerët ecnin me kokën poshtë në fushë, ai mbante kokën lart. Ishte i vetmi nga gjithë ne të tjerët që nuk luante futboll por pingpong me topin. Ky ishte ky njeri që sot po përcjellim për në banesën e fundit. Është një humbje e madhe për të gjithë ne, për futbollin shkodran dhe Shkodrës sepse Ardian Arra ka qenë dhe do mbetet i veçantë në mendjen e të gjithëve”- ka thënë mjeshtri Bizi gjatë ceremonisë së sotme të varrimit të ish-kolegut të tij.