Në komentet e bëra për largimin e parakohshëm nga jeta të ish-futbollistit të Vllaznisë Ardian Arra, ka spikatur edhe tregimi që ka bërë komentatori i mirënjohur sportiv Ymer Striniqi që duke vlerësuar vetitë dhe dhuntitë e këtij futbollisti, do evidentonte edhe dy momente kur Arra ka treguar klasin e lartë të tij por njëkohësisht janë fakte që tregojnë se futbolli për të ishte mbi të gjitha zbavitje.

“Mbaj mend një ndeshje ndaj Besës në Kavajë. Kishim udhëtuar atje për fitore por rezultati i takimit ishte 1-1. Në një moment Ardian Arra merr topin nga mesfusha, driblon të gjithë kundërshtarët që i dalin para, kalon edhe portierin dhe mbi vijën fatale, kur kishte mundësi ta dërgonte lehtësisht topin në rrjetë dhe Vllaznia të fitonte 2-1, kthehet nga fusha dhe e gjuan topin nga mesi i saj. Më pas vrapon për tek Medin Zhega dhe i thotë: “A të pëlqeu ajo që bëra”! Ky ishte Ardian Arra që më shumë sesa një gol, dëshironte të zbavitej në fushat e blerta. Apo dhe një ndeshje ndaj Partizanit në Shkodër ku Ardiani, i nxitur dhe nga tifozët e shumtë shkodranë, dëshironte vetëm t’ia kalonte topin përmes këmbëve Safet Berishës dhe këtë e bëri disa herë, duke çuar në këmbë një stadium të tërë. Prandaj jo më kot them se Ardian Arra ka qenë një nga më të talentuarit e futbollit shqiptar por që asnjëherë nuk e mori seriozisht atë sepse mbi të gjitha donte të zbavitej me këtë lojë magjike”-thotë Striniqi