Në turin e parë Vllaznia ia doli të shkonte më tej falë golit të Jehona Shalës ndaj sllovakeve të Spartak Myjava, ndërsa në të dytin, ishte goli i Gresa Berishës në minutat e fundit që i dha kualifikimin për në fazën e grupeve të Champions League ekipit shkodran. Ato momente pas shënimit të këtij goli ende janë në mendjen e të gjithëve. Kuptohet që më së shumti janë në mendjen e Gresës.

Ajo e ka rrëfyer këtë gjë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” teksa flet për përvojën e jashtëzakonshme të kaluar në përballjet me emra të tillë si Real, Çelsi e PSG. Mesfushorja e Vllaznisë është ndalur edhe tek kampionati shqiptar teksa ka thënë se kundërshtaret e këtij ekipi duhet t’i bëjnë llogaritë për ta mundur atë, pasi të kenë vënë yllin e dytë në fanellë!!!


– Gresa, si po e përjetoni këtë sezon te Vllaznia?

Me thënë të drejtën me shumë entuziazëm sepse kemi korrur shumë suksese të mëdha këtë sezon, duke pasë parasysh që jemi kualifikuar në 16 më të mirat e Europës. Shpresoj dhe besoj të kemi edhe më shumë suksese si ky vit që lamë pas.


– Me nje deklarate tuajen pak kohe me pare kur e quajtet Vllaznine, Barcelonë në Ballkan, shumëkush mund të jetë habitur. Por në fakt kështu rezultoi, Vllaznia është e vetmja në Rajon madje që u kualifikua në 16-shen e Europës. Ju vjen mirë për këtë çfarë jeni shprehur?

Po, është e vërtetë kjo që thua. Ndoshta nëse do kishte qenë dikush tjetër, ndoshta do ta kishte thënë edhe kot dhe do i kishte dal një parashikim i tillë. Por unë duke marrë parasysh shumë gjëra rreth ekipit siç janë disiplina, puna e vazhdueshme ndër vite, rritja e vajzave të vogla deri te hyrja e tyre në ekip të parë, puna e stafit, përkushtimi i presidentit ndaj ekipit duke mos i lënë asgjë mangut, mua më kanë shtyrë me i thanë ato fjalë që jam shumë e lumtur që doli ashtu siç e pata thënë.


– Vllaznia shkoi në 16-she e Europës edhe prej golit tuaj ndaj Vorsklas. E lumtur për këtë?

Jashtë mase e lumtur sepse krenova të gjithë ekipin, familjen dhe më së shumti në veçanti veten time. Kjo sepse ia ka vlejtur gjithçka që kam kaluar, çfarë kam përjetuar për të arritur këtu ku jam sot.


– Kënaqësi të përballesh me emra si Real, Çelsi e PSG?

Mund të them se ndihem shumë krenare që unë dhe ekipi im kemi arritur të përballemi me këto klube që dihet se çfarë bagazhi kanë mbi shpinë dhe çfarë niveli europian jane. Shpresoj dhe besoj që nuk do të jenë të fundit.


– Tani ndërkohë synimi te titulli i 10-të kampion dhe vendosja e yllit në fanellë?

Po, jemi në hapat e duhur pasi jemi shpallur fillimisht kampion të dimrit. Shpresoj dhe besoj që edhe ky gjysme-sezoni i dytë të vazhdojë si gjysma e parë dhe në fund të fitojmë titullin e 10-të kampion dhe këtë ta shoqërojmë me vendosjen e yllit në fanellë.

– Pse dominon Vllaznia në futbollin shqiptar?

Vllaznia dominon sepse në këtë sukses, në këtë gjë ka të bëjë shumë presidenti me menaxhimin e klubit ndër vite. Dominimi vjen nga baza e ekipit që ai ka formuar, pastaj puna, disiplina, harmonia etj. Këto janë disa gjëra dhe arsye pse Vllaznia është numri 1 në fubollin shqipar.

– Dhe ju jeni e lumtur që jeni pjesë e këtij projekti për të vazhduar dominimin në futbollin shqiptar?

Padyshim që po. Jo çdokush mund të jetë pjesë e Vllaznisë. Po ashtu shpresoj të kemi sa më shumë suksese sëbashku me ekipin e Vllaznisë si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj.


– Vllaznia tashmë është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të jetës tënde?

Po normalisht, futbolli dhe Vllaznia janë një pjesë e rëndësishme e imja. Unë ulem të fle dhe zgjohem me shpresën që nesër të punoj dhe të rritem në aspektin profesional, ta ndihmoj ekipin e Vllaznisë dhe të korrim sa më shumë suksese sëbashku.

– Ma përcakto me një fjali të vetme se çfarë është Vllaznia për ty?

Për mua Vllaznia është familja ime e dytë.


– A duhet të jetë shembull për t’u ndjekur Vllaznia në Shqipëri dhe Kosovë?

Duke marrë parasysh vijueshmërinë e sukseseve, kampionatet dhe kupat e fituera, këmbëngulja për të arritur gjithmonë më lart, normal që Vllaznia është një shembull shumë i mirë për këdo që dëshiroj të shkojë sa më lart.

– Do i përsërisni sukseset në Europë sërish?

E ardhmja nuk e di çfarë do sjellë, por e bindur jam që ne si ekip do punojmë fort dhe normalisht që do mundohemi të shkojmë sa më lart dhe pse jo t’i përsëritemi sukseset në Europë.

– Ndërsa në Shqipëri edhe për sa kohë nuk do mundet kush t’iu rivalizojë?

Për këtë gjë kisha pas dëshirë me ta kthyer përgjigjen mbasi të vendoset ylli i dytë në fanellë.

– Gresa, të falenderoj për intervistën…

Faleminderit juve!
Intervistoi: Gjergj KOLA