Zgjedhja e këshillit të ri mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia pritet të normalizojë shumë gjëra tek ky klub. Ajo që bie në sy është se anëtarët e sapo zgjedhur janë të gjithë këshilltarë, çka do të thotë se janë të gjithë politikë. Kjo në fakt ka qenë një nga dilemat nëse ky bord do të ishte I përbërë nga njerëz të politikës apo me specialistë të futbollit.

Nëse do ishte kjo zgjedhja e dytë, ndoshta do ishte më e mirë sepse do diskutohej me shumë pasion për atë se si duhej të funksiononte Vllaznia. Por, vetë Këshilltarët kanë zgjedhur që ky Bord të përbëhej nga këshilltarë dhe për këtë arsye, pati edhe jo pak debate. Madje, I vetmi këshilltar që ka luajtur vetë futboll, ka qenë Erogen Brajoviç I cili ka qenë një nga të propozuarit për anëtar Bordi por në fund, me votim ai është lënë jashtë. Kjo ka bërë që ai të shpërthejë me akuza ndaj drejtuesve të Bashkisë apo këshilltarëve të veçantë të cilët sipas tij do të vazhdojnë ta përdorin këtë skuadër edhe në të ardhmen për interesa të tyre. Në fakt, nga pesë anëtarët e zgjedhur, vetëm Xhevdet Amuli ka qenë sportist dhe po ashtu ka një përvojë edhe në administrimin e klubit të futbollit sepse ka qenë për tre vite me rradhë në postin e zëvendëspresidentit të Vllaznisë. Të tjerët përveçse dashamirës, nuk kanë shumë lidhje me futbollin. Megjithatë, në pamje të parë anëtarët e Bordit, duket se nuk kanë shumë lidhje me anën teknike të futbollit. Ata thjesht do të kenë për detyrë të gjejnë fondet që duhen për mbarëvajtjen e ecurisë së Vllaznisë dhe për mënyrën e menaxhimit të tyre sepse kohët e fundit ka patur shumë akuza për keqmenaxhim të fondeve që në fakt asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme.

© shkodrasport.com