Jose Denisson është padyshim një nga lojtarët më të mirë të organikës së Dinamos. Që prej transferimit të tij nga Kosova në kryeqytet, braziliani ra në sy për cilësitë që zotëronte.

Megjithëse në Superiore nuk arriti të kishte një komunikim të mirë me golat, këtë po e bën në Kategorinë e Parë. Së fundmi ai ka zbuluar një detaj interesant që ka të bëjë pikërisht me merkaton.

Në një intervistë për shtypin e shkruar, ka treguar se Patrick e ka ftuar që t’i bashkohet Tiranës. Sulmuesi i bardhebluve duket se ka konsideratë për anësorin e dinamovitëve dhe e do për të luajtur bashkë në skuadër.

Aktualisht kjo s’mund të ndodhë pasi futbollisti është në kontratë me 18 herë kampionët e Shqipërisë. Megjithatë në merkaton e verës pritet me interes të shihet nëse Denisson do të vijojë të jetë pjesë e Dinamos apo do të ndërrojë destinacion.