Vllaznia luan një tjetër transfertë, kësaj radhe në Korçë përballë Skënderbeut të vendit të fundit, përballje që do të zhvillohet të premten (16:45). Trajneri i ekipit shkodran, Thomas Brdaric, i cili është i pezulluar për këtë sfidë, preku disa tema gjatë konferencës për shtypin, ku ndër të tjera tha:

Pezullimi: Më vjen keq për çfarë ndodhi. Sjellja ime do të jetë shumë më e mirë se në ndeshjen e fundit. Do të mbështes ekipin maksimalisht dhe do të jetë Plori që do t’i këtë gjërat nën kontroll. Lojtarët kanë qenë të përqendruar gjatë javës dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë.

Jam një njeri emocional. Ndonjëherë e bëj për të mbrojtur lojtarët e mi, ndonjëherë për të kundërshtuar vendimet e gjyqtarëve. Kanë punë të vështirë, por ndonjëherë marrin disa vendime të ekzagjeruara ndaj nesh. Na detyrohen disa shpjegime. Kur kërkojmë arsyetim për të diskutuar, ata na anashkalojnë, kështu që kërkojmë më shumë vëmendje.

Shumë kartonë të kuq? Duhet të japim jetën në fushë, besoj se e bëjmë këtë, por në disa raste duhet të jemi pak më shumë në kontroll të situatës. Nuk ka rëndësi e kaluara, të gjithë gabojmë, rëndësi ka të mësojmë nga gabimet. Jemi një ekip kompetitiv që mundohemi gjithmonë të bëjmë më të mirën tonë.

Sa pikë kemi humbur nga gabimet arbitrare? Nuk ka rëndësi sot, më e rëndësishme është të flasim që të jemi më të saktë përpara portës. Nëse shënojmë mbi 2 gola për ndeshje, atëherë mund të pranojmë edhe ndonjë gabim arbitrar. Duhet të jemi më të saktë dhe të përmirësohemi dhe të rritemi më tej.