Tekniku Thomas Brdariç po skicon formacionin më të mirë të mundshëm për ta hedhur në fushën e lojës për takimin ndaj Partizanit.

Përveç sulmuesve Ardit Hoxhaj dhe Mehdi Çoba, të cilët vuajnë prej dëmtimeve, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion të trajnerit gjerman.

Në krahasim me formacionin që fitoi kundër Teutës 4-2, ndryshimet pritet të jenë në mbrojtje dhe mesfushë. Mevlan Adili pritet të rikthehet titullar, duke zënë vendin e malazezit Darko Bulatoviç, i cili luajti në krah të Dianjesë në ndeshjen e fundit.

Në mesfushë ka një balotazh mes Mustedanagiçit dhe Krujës, edhe pse trajneri ka preferuar më shumë boshnjakun nga minuta e parë në takimet e fundit.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe Kruja, ndoshta për të përballuar më mirë mesfushën vendëse. Sulmi do të jetë i njëjtë, me Da Silvën dhe Latifin në mbështetje të maqedonasit Gjurgjeviç. Kjo treshe prodhoi gola shumë të bukur ndaj Teutës falë kombinimeve që bënë.

Nisur nga kjo, në portë do të jetë Zogoviç, ndërsa në mbrojtje katërshja Gurishta, Dianje, Adili dhe Hakaj. Mesfusha do të përbëhet nga Kruja, Jonuzi dhe fituesi i balotazhit Krymi-Mustedanagiç.