Kur përmend sportin e notit në Shkodër sigurisht që ke se çfarë të shkruash e të flasësh sepse sukseset kanë qenë të shumta. Bashkë me to, edhe personazhet që e kanë shkruar historinë e tij janë të shumtë, kemi kampionë e rekordmenë të cilët kanë lënë gjurmë me karrierën e tyre.

Po ashtu kemi edhe trajnerë të cilët janë evidentuar si shumë të suksesshëm dhe njëri ndër ta është edhe Ridvan Gjeçaj. Po ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen dhe feston 59 vjetorin e lindjes së tij dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur në Shkodër më 18 shkurt të vitit 1963 dhe me notin do të lidhej që në moshë të vogël dhe prej atij momenti e deri më sot, vazhdon të japë kontributin e tij për këtë sport. Vetë Ridvani e kujton kështu lidhjen e tij me këtë sport:

“Kur isha fëmijë, na dërguan në kampin veror që zhvillohej në atë kohë pranë lumit Drin. Aty, për fatin tim kisha instruktor futbollistin e madh të Vllaznisë Selami Danin. Dhe gjatë aktiviteteve që zhvilloheshin, u bë një kampionat noti në të cilin unë dola fitues dhe profesor Selamia më adresoi pranë ekipeve zinxhir të notit të klubit Vllaznia. Kam qenë në moshën 10 vjeçare kur fillova notin dhe që atëherë e deri më sot, vazhdoj të jap kontributin për këtë sport”.

Pas fillimit të studimeve të larta në Tirana, kalon tek ekipi i Studentit me trajner Sulejman Podën në ato vite. Duhet thënë se në ato vite, ekipi i Studentit ishte shumë i mirë sepse në përbërje kishte emra të shquar të këtij sporti, si mjeshtri Skerdilajd Shyti apo dhe Ilir Meça, Shpëtimi Damini, Hektor Partali etj.

Në garat e zhvilluara në Durrës ekipi i Studentit zuri vendin e parë në garën 4 x 100 metra stil i lirë dhe doli kampion, titull që ishte i pari për këtë ekip dhe që çuditi ndoshta të gjithë. Dhe natyrisht që pjesë e këtij suksesi ishte edhe shkodrani Gjeçaj.

Pas përfundimit të studimeve të larta, do të kthehej në Shkodër dhe do të bëhej pjesë e ekipit të Vllaznisë sërish. Në ato vite aidrejtohej nga trajneri i madh Shuajp Mehmeti (i cili arriti të bëhej edhe trajner i ekipit kombëtar) dhe në përbërje të tij ishin emra të tillë si Rrok Shestani, Azem Plisi, Sadi Anadolli, Mehdi Muriqi, Fatmir Halili, Met Plisi, Yzeir Miarra. Më pas erdhën Ridvan Gjeçaj, Tonin Radovani, Myzafer Kroni, Gjon Shyti, Viktor Ferketi, Robert Vata, Ardian Vadahi dhe kuptohet që ishte shumë e vështirë të konkurroje me to për një vend në formacion.

Pas përfundimit të karrierës si sportist, Ridvan Gjeçaj nis punën si trajner pranë klubit Vllaznia, pikërisht në vitin 1989. Një ndër sportistët më të spikatur që ai ka stërvitur ka qenë Ilir Ymeri. Ai kishte qenë pjesë e ekipit, një talent i lindur me të cilin kishin punuar më parë trajnerët e moshave si Franc Noga e Gjon Shyti.

“Ilir Ymer ka qenë një talent i lindur dhe me punën që kemi bërë me të, kemi arritur rezultate të larta. Dua të them se njërin nga rekordet që ai ka vënë atëherë, vazhdon të jetë ende edhe sot i pathyer. Pra që nga viti 1989, pra prej më tepër se 30 vitesh”- thotë trajneri Gjeçaj.

Vllaznia e atyre viteve do të shpallej disa herë kampione e vendit dhe padyshim që ky ishte një sukses i merituar, pjesë e të cilit ishte edhe trajneri Ridvan Gjeçaj i cili vazhdoi te bente punen e trajnerit deri ne vitin 2009. Vllaznia do te shpallej 6 here kampione e vendit nga viti 1989 dhe 1995 dhe po ashtu ka fituar edhe 6 here Kupen e Republikes ne keto vite si dhe ka fituar 6 kupa “Pavaresia”.

Gjate kohes qe ai ka qene trajner i Vllaznise, sportistet e tij kane thyer plot 65 rekorde kombetare. Ka qene gjithashtu edhe trajner i ekipit kombetar per disa vite me rradhe.

Për të gjithë këto suksese që ai ka arritur si trajner, u vlerësua nga Bashkia Shkodër dhe Sk Vllaznia me një “Mirënjohje” si një nga “trajnerët e shekullit” me rastin e festimeve të 100 vjetorit të këtij klubi.

Ndërkohë, kontributi i Ridvan Gjeçajt në këtë sport ka vazhduar edhe pas viteve ’90, madje duke qenë edhe në rolin e zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare të Notit.

Gjeçaj ka patur fatin të jetë i ftuar në të parin Kongres Botëror për trajnerët të zhvilluar në Singapor në vitin 2007, aty ku zhvilloi bisedime me presidentin e FINA-s të cilit i kërkon mbështetje financiare për notin shqiptar apo dhe trajnime të ndryshme për trajnerët në mënyrë që niveli i tyre të rritej.
Gjergj KOLA