Sukseset e çiklistëve shkodranë vazhdojnë sërish. Ditën e sotme është zhvilluar gara tjetër e kampionatit kombëtar të këtij viti, ajo e rezistencës. Itinerari i saj ka qenë 10 xhiro në distancën nga TEG deri tek Kristal, me një distancë të përgjithshme prej 100 kilometrash. Ajo është zhvilluar për të dyja kategoritë, atë të kadetëve dhe të juniorëve.

Kjo e fundit ka qenë më e fortë dhe me më shumë rivalitet. Natyrisht që pretendenti kryesor për fitimin e saj ka qenë çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola i cili natyrisht që kërkonte të sfidonte sportistin e ardhur nga Italia Mesud Cepa që u pat shpallur një ditë më parë kampion në kronometër. Gara ka qenë e bukur dhe ndonëse gjatë saj ka patur tentativa të herëpashershme për shkëputje, pretedentët kanë shkuar të gjithë sëbashku deri në metrat e fundit të etapës. Pikërisht aty, ka dalë në pah strategjia e ekipit shkodran dhe falë punës së mirë të bërë nga Sion Gjoka e Alfons Rrashkadoli, në fund ka qenë kolegu i tyre Bruno Kola që nuk është arritur nga askush tjetër duke e prerë i pari vijën e mbërritjes. Menjëherë pas tij ka mbërritur një tjetër çiklist i Vllaznisë, Astrit Kronaj që është renditur i dyti ndërsa në vend të tretë është renditur Amarildo Goga i Apolonisë. Sakaq i bukur ka qenë edhe finishi i kadetëve aty ku u mendua që Gjergj Zefi, kampioni i djeshëm i kronometrit, do të ishte sërish kampion. Por ai ka gabuar në taktikë në metrat e fundit duke i dhënë mundësinë një çiklisti fierak të dilte i pari ndërsa në vend të dytë është renditur Pandeli Bajlozi i Skënderbeut dhe supriza e vendit të tretë ka qenë Samuen Bajrami i Vllaznisë. 15 vjeçari që ka vetëm pak muaj që e ushtron këtë sport, ka bërë një paraqitje shumë të mirë, është ngjitur kësisoj për herë të parë në karrierën e tij në podiumin e fituesve. Në vend të katërt dhe të pestë janë renditur dy çiklistët e tjerë të Vllaznisë Gjergj Zefi dhe Defrim Dholla. Sa i takon elitës, kampion është shpallur Ylber Sefa duke lënë në vend të dytë Redi Halilajn dhe në të tretin Iltjan Nikën. Në këtë mënyrë, edhe kampionati kombëtar i vitit 2017 mbyllet me dominimin e ekipit shkodran që duket në një rrugë shumë të mbarë për rikthimin e këtij sporti sërish në nivele të larta.

© shkodrasport.com