Ka dhënë koncerte recitale në Pallatin e Kongreseve dhe në salla të mëdha, por koncerti i sotëm do të mbesë gjatë në mendjen e këngëtarit të mirënjohur Bujar Qamili.

Për një orë me rradhë, ai ka zhvilluar një koncert të improvizuar në sheshin kryesor të Shkodrës, ku spektatorë kishte banorët e pallateve rreth e rrotull që kishin dalë në ballkonet e tyre duke duatrokitur e dëgjuar këngët e Mjeshtrit të Madh.

Një ide shumë interesante e këtij këngëtari të mirënjohur që në bashkëpunim me TV1 Channel, i është gjendur pranë banorëve të Shkodrës dhe jo vetëm të cilët të stresuar nga jeta e përditshme dhe qëndrimin në karantinë, kanë patur mundësi që për 60 minuta me rradhë të largojnë stresin.

Por interesant ishte fakti se ndonëse koncerti u mbyll, banorët nga ballkonët e pallateve i kanë kërkuar Bujar Qamilit edhe një këngë tjetër, atë të Vllaznisë dhe ai nuk ua ka prishur.

Madje, pasi e ka kënduar atë, ka bërë edhe një premtim publikisht duke deklaruar se koncerti i rradhës do të jetë pas kalimit të pandemisë dhe ai do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse Bujar Qamili identifikohet ndryshe edhe si mjeshtri që i ka kënduar vazhdimisht Vllaznisë, teksa i ka kënduar asaj dy këngë të cilat janë mjaft të dashura për të gjithë shkodranët.
© shkodrasport.com