Kombëtarja shqiptare U-16 e ka nisur me fitore serinë e dy ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi U-16, duke triumfuar me rezultatin 1-0 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me Aliaj në portë, ndërsa në formacionin titullar ishin edhe Hazizaj, Muharremi, Avdylaj, Elqeni, Taci, Sina, Ramadani, Kopani, Mehmeti dhe Perkola.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, 0-0, me të dyja skuadrat që patën momentet e tyre për të zhbllokuar rezultatin. Kuqezinjtë u shfaqën kërkues në disa raste dhe tentuan të rrezikojnë portën kundërshtare, por pa arritur të konkretizojnë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria vijoi të kërkonte golin dhe trajneri Armand Dama shfrytëzoi mundësinë për të aktivizuar lojtarë të tjerë, duke kryer disa zëvendësime dhe duke i dhënë minuta pjesës tjetër të grupit.
Goli i fitores erdhi në minutën e 80-të, me Avdylajn, i cili zhbllokoi takimin dhe i dha Shqipërisë avantazhin që do të rezultonte edhe përfundimtar.
Kjo miqësore i shërbeu stafit teknik për të vlerësuar lojtarët dhe për të provuar alternativa të ndryshme në kuadër të përgatitjeve për aktivitetet e ardhshme të Kombëtares U-16.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të përballen sërish më 27 gusht, në Mal të Zi, në ndeshjen e dytë miqësore, në orën 11:00.


