Tashmë zyrtarisht Sergio Busquets ka njoftuar edhe largimin nga Barcelona. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kapiteni ka emocionuar me fjalët kushtuar ekipit katalanas.

34-vjeçarit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe ka vendosur të mbyllë një nga karrierat më të lavdishme të Barcelonës në histori, duke fituar gjithçka me fanelën e blaugranave.

Sipas tij ka ardhur koha për t’i thënë Barçës lamtumirë, ndërsa falenderon të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

“Do të bëhem tifoz dhe anëtar, të jesh tifoz i Barcelonës është gjëja më e mirë që ekziston. Ka qenë një nder, një ëndërr dhe një krenari të jem në gjendje të mbroja këtë stemë, por gjithçka ka një pikë përfundimtare. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, por ka ardhur koha”, përfundoi mesfushori spanjoll.