Vllaznia është rikthyer si pretendente kryesore për titullin kampion. Kuqeblutë kryesojnë renditjen e Superiores në vendin e parë dhe synojnë gjithashtu finalen e Kupës së Shqipërisë.
Gazetari dhe moderatori i emisionit “Skaner”, Gerti Çarçani, në analizën e tij për “MCN Informacion”, vlerëson se Vllaznia është një skuadër e investuar për të tentuar titullin që e pret prej 25 vitesh.
“Fokusi kryesor është titulli, pasi kanë 25 vite që e presin, por skuadra po luan dukshëm edhe për Kupën e Shqipërisë.
Ndeshja e djeshme me Dinamon konfirmoi rivalitetin dhe inatin mes këtyre dy skuadrave; përfundoi në barazim, dhe gjithçka mbetet e hapur për takimin e kthimit. Vllaznia mbetet e fokusuar te titulli.
Megjithatë, skuadra do të përballet edhe me rivalë të tjerë, ndërsa ndjekësit si Elbasani dhe Egnatia do të tentojnë në çdo mënyrë të ndikojnë në renditje, dhe finalet e “Final 4” do të vendosin shumë për trofetë.
Ky vit është veçanërisht i rëndësishëm për Vllazninë, e cila është investuar për të synuar titullin që e pret prej 25 vitesh. Megjithatë, historikisht skuadra ka pasur vështirësi në fund të sezonit, por tashmë objektivi kryesor mbetet arritja e këtij trofeu”- është shprehur Çarçani.


