Agron Çela premton një Vllazni që do të jetë pjesëmarrëse në Kupat e Europës në fundin e këtij sezoni. Kandidati më potencial për t’u bërë sërish president i klubit kuqeblu, në një bisedë për gazeten, tregoi disa detaje të planeve që ai ka me grupin e biznesmenëve shkodranë. Ish-presidenti Çela bashkë me donatorët e tjerë: Paulin Radovani, Xhevdet Amuli, Flamur Hoxha dhe Ylvi Mashi, pasi kanë bërë një kërkesë zyrtare në Bashkinë e Shkodrës, tashmë presin që kjo e fundit të zyrtarizojë kalimin në përdorim të skuadrës kuqeblu pesë biznesmenëve shkodranë.

Këta të fundit kanë kontribuar ndër vite për Vllazninë dhe tani kërkojnë të rikthehen ta drejtojnë serish. Çela, si ish-president, është një nga iniciatorët dhe sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet sërish në krye të klubit, ashtu si në vitin 2003. “Ne kemi bërë një kërkesë dhe tani presim miratimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Jemi optimistë se këtë Vllazni do ta çojmë në fund të këtij sezoni në Kupat e Europës. Ne kemi besim, pasi përndryshe nuk do ta kishim marrë një përgjegjësi të tillë. Presim vetëm të startojë puna, për të mos humbur kohë”, – ka thënë fillimisht për gazetën ishpresidenti i klubit kuqeblu.
Situata Vllaznia është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe kampionati tashmë është synimi i vetëm për shkodranët, teksa do të kërkohet me ngulm vendi i tretë. Çela është i ndërgjegjshëm që klubi gjendet në vështirësi, por ai flet i bindur se synimet do të arrihen. “E dimë që situata është e vështirë, por ne kemi projektet tona për ta kapërcyer atë në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Unë e theksova edhe më sipër, se kam besim të plotë që në fund të këtij sezoni Vllaznia do të jetë në Kupat e Europës. Ne kemi treguar se dimë t’ia arrijmë asaj që ka nevojë Shkodra dhe tifozëria e saj e zjarrtë”, – ka nënvizuar Çela.
Trajneri Prej kohësh në Shkodër përflitet se me ardhjen në krye të klubit të Çelës, trajner i Vllaznisë do të jetë Artan Bushati. I pyetur në lidhje me këtë, Çela deklaroi ndër të tjera se ai dhe donatorët s’kanë asnjë paragjykim për stafin aktual të skuadrës, që drejtohet nga Shpëtim Duro. “Për të qenë i sinqertë, nuk kemi filluar ende të mendojmë për teknikun apo lojtarët. Kjo do të bëhet, pasi më parë të merret miratimi i Këshillit Bashkiak për kalimin e klubit në përdorim nga ana jonë. Ne do të diskutojmë për gjithçka. Do të shikojmë nga janari edhe për përforcimet që mund të na duhen, në mënyrë që të realizojmë objektiva tanë. Sigurisht do të bëjmë merkato, por gjithçka ka kohën e vet. Dua të bëj me dije ndërkaq se nuk kam asnjë paragjykim për teknikun aktual Duro dhe për lojtarët që janë pjesë e Vllaznisë”, – ka përfunduar biznesmeni Çela, i cili në vitet 2003-2006 ka drejtuar klubin shkodran.
Admir URUÇI