Kastrioti do të luajë të dielën në Kamzë me ekipin kryesues, Tiranën. Të besuarit e Emiljano Çelës do të kërkojnë të lënë pas atë humbje me Kukësin, teksa do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv. Krutanët për këtë ndeshje e kanë kontigjentin të plotë dhe kjo i jep shpresë stafit teknik se do të arrihet të merret një rezultat pozitiv. Trajneri Emiljano Çela, në daljen e tij para mediave, shprehet se Tirana është një ekip i mirë, por ka besim te të tijtë se do të japin më të mirën në këtë përballje.


Pas humbjes me Kukësin, a është skuadra në gjendjen optimale për Tiranën?

Patjetër që humbja me Kukësin është lënë pas. Duhet të shohim përpara. Kemi evidentuar ato gabime që bëmë, si dhe gjërat e mira. Për mendimin tim, deri në minutën e 40-të kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Ndaj, gjatë kësaj jave jemi fokusuar totalisht te përballja e radhës.

Përpara është Tirana. Çfarë do të ndryshoni për të marrë një rezultat pozitiv?

Ne do të kërkojmë të marrim pikë ndaj çdolloj kundërshtari. Kampionati shqiptar është shumë i fortë, kështu që patjetër me rivalët tanë do t’i bëjmë llogaritë në ndeshjet direkte. Nëse nuk pretendojmë të marrim pikë çdo ndeshje, atëherë është e kotë puna që bëjmë për t’u përmirësuar gjatë gjithë kohës. Sigurisht që kundërshtari i radhës është shumë i vështirë, por kjo nuk do të thotë që ne do të hymë në fushë të dorëzuar. Përkundrazi, do të futemi në fushë me synimin e qartë për të dhënë më të mirën dhe marrë pikë.

Rikthehet Selmani. Si është gjendja me pjesën tjetër të skuadrës?

Jam i kënaqur, e kam gjithë grupin e plotë. Të shohim deri ditën e ndeshjes se me çfarë ekipi do të rreshtohemi.

Tirana ka sulmin më të mirë në kampionat. A e keni përgatitur “kurthin” për t’i ndaluar?

E kemi parë ekipin e Tiranës. Është një ekip i konsoliduar, një ekip me veprime të automatizuara, ekip i mirë, agresiv në të dyja fazat e lojës. Janë me meritë në vendin e parë, kështu që na takon të bëjmë akoma më shumë punë dhe të jemi më shumë se 100 për qind të formës tonë.