Çelsi nuk e ka vendosur ende të ardhmen e Armando Brojës dhe do të presë deri në verë për të parë se çfarë është më e mira në interesin e klubit.

Por, çdo ditë nuk mungojnë zërat për një rikthim të talentit shqiptar në “Stamford Bridge” në fund të sezonit, megjithatë as ata që e shohin larg skuadrës së Tomas Tuhelit sulmuesin 20-vjeçar.

Sipas “Evening Standard”, tekniku gjerman, pavarësisht se e vlerëson shumë atë që po bën Armando këtë sezon në Sauthempton, mund të detyrohet ta shesë atë në verë.

Madje, jo vetëm sulmuesin, por edhe produktin tjetër të akademisë së bluve, Faustino Anjorin. Çelsi po vlerëson vështirësitë financiare që i kanosen klubit pas sanksioneve me të cilat mund të përballet pronari i klubit, Roman Abramoviç.

Tuhelit i është premtuar se ai do të mbështetet financiarisht në merkaton e verës, por një pjesë e këtij investimi do të mbulohet nga shitjet, në mënyrë që Tuhel të ketë mundësi të bëjë blerjet e tij.

Ai dëshiron një qendërmbrojtës dhe Kunde i Seviljes mbetet objektivi kryesor. Çelsi theu rekordin e transferimit të klubit kur bleu Romelu Lukakun në verë nga Interi për 97 milionë paund.

Por ky investim u bë vetëm pasi u arkëtuan mbi 100 milionë paund nga shitjet e Temi Abrahamit, Kurt Zumasë dhe Fikajo Tomorit.

Abramoviç u tërhoq nga drejtimi i klubit pas nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës dhe qarkullojnë zëra se për të shmangur sanksionet e mundshme që mund të jenë shkatërruese për financat e tij, nuk përjashtohet që ta shesë klubin. Vlera e Çelsit në merkato përflitet rreth 1.5 miliardë paund.

Në këtë moment delikat, manjati rus mendon se blutë duhet të nisin të vetëmenaxhohen më mirë. Dhe shitjet e Brojës dhe Anjorinit (talentit tjetër 20- vjeçar të bluve), mund të sjellin deri në 50 milionë paund në arkat e klubit sipas “Evening Standard”./panorama-sport/