Milan përgatitet për sezonin e ri, me shpresën që të bëjë një paraqitje më të mirë si në Serie A ashtu dhe në Europë. Kuqezinjtë nuk mbrojtën dot titullin kampion dhe u eliminuan në gjysmëfinalen e Champions League. Gjithsesi, bazat për të ardhmen po hidhen, duke nisur nga buxheti që dyshja Maldini-Massara do të ketë në dispozicion.

Sipas “sportmediaset”, Milan do të ketë në dispozicion të paktën 100 milionë euro për të investuar në merkato, 50 nga të cilat vijnë nga Champions League. Ndërsa pjesa tjetër do të arkëtohet nga shitja e disa lojtarëve që këtë sezon nuk dhanë atë që pritej dhe do të largohen, si Rebic, Origi etj.

Mes listës së lojtarëvë që do të “hapin krahun” janë edhe Dest, Adli dhe Vranckx. Ndërkohë që, kuqezinjtë do të mbrojnë investimin e bërë për De Ketelaere, të cilit do t’i japin edhe një shans sezonin e ri. Me 100 milionë eurot e parashikuar për merkaton e verës, do të afrohen disa emra të rinj.

Emri më i përfolur është ai i Loftus-Cheek, që luan me Chelsea. Dëmtimi i Bennacer ka prishur disi planet, pasi duhet gjetur një zëvendësues për algjerianin. Për sa i përket sulmit, pika e dobët e Milan këtë sezon, janë disa emra në agjendë, si Morata, Arnautovic, Balogun, Wahi apo Scamacca./telesport/