Vllaznia mori një humbje në shifrat 2-1 ditën e djeshme në duelin e javës së 34-të të Superiores kundër Partizanit. Shkodranët zhvilluan një lojë nën ritëm e sidomos në pjesën e parë të ndeshjes, ku madje pësuan edhe dy gola. Por rezultati mund të ishte akoma edhe më i thellë në fraksionin e parë të lojës po të mos ishte për Bojan Zogovic.

Gardiani malazez i portës së Vllaznisë pavarësisht se pësoi dy gola, ku absolutisht nuk ishte fajtor zhvilloi një ndeshje të një niveli të lartë. Në më shumë se 3-4 raste të pastërta shënimi për Partizanin, 34-vjeçari u tregua shumë vendimtar. Dy herë përballë Da Silvas e po ashtu përballë Rrapajt e Mba, Zogovic ishte i pakalueshëm.

Jo më kot ai është i vetmi futbollist në këtë sezon në Superiore që ka luajtur cddo minutë, duke qenë kështu një garanci për lojën e shkodranëve. E nëse Vllaznia do dilte me pikë dje nga Tirana, patjetër merita kryesore do ishte e Zogovic që prej 3 sezonesh tashmë mbron portën kuqeblu, duke qenë edhe një nga futbollistët më të spikatur.

Nuk dihet ende nëse në fundin e sezonit, portieri dhe klubi do e vijojnë bashkëpunimin mes tyre edhe për një sezon tjetër. Pavarësisht se edhe portieri i dytë, Kristi Qarri ka treguar një nivel shumë të lartë këtë edicion sa herë që është aktivizuar në kupën e Shqipërisë, ku ai ka qenë titullari i portës shkodrane.
Endri ÇINARI