Vllaznia u mposht në javën e 34-të të Superiores ditën e djeshme kundër Partizanit. Shkodranët humbën me rezultatin 2-1 në kryeqytet përballë të kuqve. Një disfatë që gjithsesi i mban kuqeblutë në vendin e katërt, pozicion që garanton edhe vendin e fundit për një kualifikim në kupat e Europës.

Por ajo që u pa dje në ndeshjen ndaj “demave” ishte performanca shumë pozitive e Bekim Balajt. Për sulmuesin ndaj të cilit ka pasur goxha kritika që në ardhjen e tij tek Vllaznia, kjo mund të themi se ishte ndeshja e tij më e mirë pas transferimit në janar tek kuqeblutë. Jo vetëm goli që shënoi shtatlarti që ishte goli i tij i dytë këtë sezon, por edhe loja që zhvilloi 32-vjeçari.

Balaj u pa në çdo moment shumë aktiv dhe shumë luftarak në duelet ndaj mbrojtësve të kuq. Duke i dhënë disa herë hapësira në sulm edhe shokëve të skuadrës, por që nuk u shfrytëzuan siç duhet. Megjithatë Balaj ishte në nivelin e duhur përgjatë 90 minutave. E duket se ai “ndizet” gjithmonë kur luan kundër Partizanit, sepse të dy golat këtë sezon ia ka shënuar kryeqytetasve.

Me dy ndeshje për tu luajtur deri në fundin e kampionatit patjetër që tek Vllaznia e duan në formën e duhur sulmuesin kryesor. Që me golat e tij mund të dërgojë skuadrën në fundin e edicionit në kualifikueset e Conference League.
Endri ÇINARI