Presidentit historik i Realit të Madridit, Santiago Bernabeu, (1943-1978) i parapëlqente të argumentonte se dëshironte në skuadër lojtarë në gjendje të ngrinin në këmbë stadiumin “Bernabeu”.

Për këtë arsye ai firmosi në vitin 1962 me Amansio Amaron, një lojtar krahu i tmerrshëm, që u fuste frikën të gjithë kundërshtarëve. Në vitin 1977 bëri pak a shumë të njëjtën gjë, duke afruar një tjetër lojtar jo si gjithë të tjerët, Huanito, një emër i papërsëritshëm për tifozërinë madrilene.

Stafetën ia trashëgoi Florentino Perezit, i cili gjeti një tjetër term për të krijuar iluzion mes tifozëve madrilenë, “Galacticos” (Galaktikët). Që nga viti 2000 ai nisi të firmoste me lojtarë si Figo, Zidan, Ronaldo, Bekam, duke gjeneruar një entuziazëm dhe një impakt universal si kurrë më parë.

Historia vazhdon dhe “dhurata” tjetër e madhe e tij për popullin madrilen është Kilië Mbape. Nga të gjithë sulmuesit në qarkullim, Mbape është i vetmi që mund të arrijë atë që Kristiano Ronaldo e arriti tashmë në prezantimin e tij më 6 korrik 2009:

të mbushë “Bernabeun” në maksimumin e tij. Tifozët e Realit janë të gjithë sy e veshë nga Florentino Perez në pritje të lajmit për firmën me Mbapenë, teksa ata kanë nisur të pikturojnë në ëndrrat e tyre një treshe që do t’i ngjallte tmerrin Europës: Mbape, Benzema e Vinicius. Shifrat e realizuara nga ata të tre deri më tani në këtë sezon garantojnë vite suksesesh.

Të tre së bashku kanë arritur shifrën e 101 golave në këtë sezon. Në krye qëndron Karim Benzema me 44 rrjeta, i ndjekur nga Mbape me 36 të tilla dhe Vinicius me 21 gola. Me afrimin e mundshëm të Mbapesë, Madridi do të ketë një treshe sulmi që garanton minimalisht 100 gola në sezon, një çmenduri! Por treshja Mbape, Benzema e Vinicius nuk garanton vetëm gola, detyra kryesore për të cilën paguhen.

Ata garojnë edhe asiste me bollëk. Mbape ka dhënë 26 pasime për gol në këtë sezon, kundrejt 16 të Viniciusit dhe 15 të Benzemasë, në një total prej 57 pasimesh për gol. Me një llogari të thjeshtë, shifrat arrijnë në kufijtë e së pabesueshmes, 160 gola!