Shumëkush e ka paragjykuar por në ndeshjen e djeshme ndaj Kukësit, tregoi vlera. Sulmuesi ganez me pasaportë italiane Charles Buaku Atsina jo vetëm ishte autor i të dy golave për Vllazninë por ka shfaqur edhe vlera të tjera pozitive duke mbajtur skuadrën përpara. 28 vjeçari ka qenë i pafat në fakt në këtë fillim-kampionati. Vetëm pas 2-3 ndeshjeve të para, ai pësoi një dëmtim në gju prej të cili u detyrua të qëndronte pushim për rreth një muaj.

Ndërkohë, ndryshimi i trajnerëve do të sillte edhe fatin për këtë lojtar. Trajnerit të ri Gjoka i ka mjaftuar një javë stërvitje me këtë futbollist për të dalë në përfundimin se më mirë se Atsina, askush tjetër nga kontigjenti aktual nuk mund ta bënte vijën e parë të sulmit. Për rrjedhojë, i besoi vendin e titullarit ndaj Kukësit dhe ai nuk e zhgënjeu. Shumëkush mund të mendojë se ato gola ishin rastësi dhe vështirë se ky futbollist do të shënojë gola të tjerë në javët e ardhshme. Mund të ndodhë edhe kështu por të mos harrojmë se që në momentin e firmosjes së kontratës, drejtuesit e Vllaznisë e kanë patur të qartë se nuk kanë marrë një super-sulmues por një alternativë për këtë repart dhe ai deri më tani e ka justifikuar në mënyrën e duhur. Shpresat janë që ai të vazhdojë të bëjë mirë edhe në të ardhmen.

SHKODRA SPORT