Pozita e vështirë në kampionat, detyron drejtuesit e Chelseat me në krye presidentin Todd Boehly të mos kursejnë në merkaton e janarit.
Goditjet e “Bluve të Londrës” nuk mungojnë ku sigurisht më i bujshmi është huazimi i Joao Felix, apo edhe mbrojtësi Badiashile dhe të rinjtë premtues si Fofana apo Andrey Santos, pa harruar faktin që anglezët janë në hapat e fundit të zyrtarizimit të Mudryk për shifrën e 100 milionë eurove.
Por, kush mendon se Chelsea do të ndalet me kaq, gabon sepse së fundmi londinezët janë interesuar për Noni Madueke. Është vetë trajneri i holandezëve, Ruud Van Nisterloy ai i cili pranoi interesimin e Chelseat për sulmuesin teksa Blutë e Londrës janë të gatshëm të ofrojnë deri në 30 milionë euro për kartonin e lojtarit 20-vjeçarit.
Në këtë sezon të Eredivisie, Madueke është aktivizuar në katër ndeshje për PSV me britanikun që ia ka dalë të gjejë edhe në një rast rrugën e rrjetës.
Në rast se tratativa për të kaluar te Chelsea mbyllet me sukses, atëherë Madueke do të rikthehej në Londër aty ku në sezonin 2014-2015 nisi hapat e parë në futbollin profesionist me të rinjtë e Crystal Palace.