Çiklistët e Vllaznisë kanë dominuar edhe në etapën e dytë të kampionatit kombëtar të zhvilluar dje në Tiranë. Bruno Kola ka fituar edhe në këtë etapë të dytë duke u shpallur sërish fitues në kategorinë kadetë ndërsa në podium janë ngjitur edhe dy çiklistët e tjerë të Vllaznisë, Kledison Cani dhe Sokol Murana. Gara e kadetëve ka patur më shumë rivalitet dhe fitues është shpallur vetëm në fund.

E gjatë 60 kilometra, ajo është zgjidhur në fund me sprintin e fortë të Bruno Kolës që ka prerë I pari vijën e finishit, duke lënë pas në vend të dytë, shokun e ekipi Sokol Murana. Shpallja e fituesve dhe marrja e  medaljeve ka dhuruar emocione dhe duartrokitje për çiklistët shkodranë të cilët po dominojnë në garat ku po marrin pjesë.Medaljen e kampionit, Bruno Kolës ia ka dorëzuar presidenti I nderit I Federatës Shqiptare të Çiklizmit Burhan Berisha. Ndërkohë, në kategorinë xhuniorë, një paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe çiklisti tjetër I Vllaznisë Kledison Cani. Ai është shkëputur në maloren drejt Elbasanit sëbashku me lezhjanin e ardhur nga Italia Klidi Jaku dhe të dy kanë garuar deri në Tiranë. Aty ku I pari ka mbërritur Jaku dhe menjëherë pas tij Cani, duke lënë në vend të tretë një sportist të Teutës. Në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve, drejtuesit e Federatës kanë nderuar edhe dy ish-çiklistët e Vllaznisë, Brahim Syka dhe Hilmi Lala për të dhënë medaljet dhe diplomat për dy sportistët e vendeve të para. Ndërkohë, në kategorinë elitë ka spikatur Eugert Zhupa, I cili pas pjesmarrjes së suksesshme në Xhiron e Italisë, konfirmoi vlerat e tij duke zënë vendin e parë edhe në këtë kampionat dhe në vend të dytë u rendit një tjetër shqiptar I ardhur nga Italia, Iltjan Nika dhe në të tretin Redi Halilaj. Në këtë mënyrë është mbyllur edhe gara më e rëndësishme e çiklizmit për vitin 2016, ajo e kampionatit kombëtar e cila nxorri në pah edhe njëherë tjetër vlerat e çiklistëve të Vllaznisë, të cilët të drejtuar nga trajneri Leonat Kola, treguan dominimin e tyre në grupmoshat ku kanë konkurruar.

© shkodrasport.com