Vetëm pak ditë pas përfundimit të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, në vendin tonë do të zhvillohet një tjetër aktivitet i këtij sporti. Bëhet fjalë për trofeun “Korça” që Federata përkatëse në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti, do të organizojnë edhe sivjet, ashtu siç kanë bërë dy vitet e fundit.

Aktiviteti do të jetë treditor dhe në të do të marrin pjesë të gjithë çiklistët e ekipeve anëtare të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Ndër to, padiskutim që do të jetë pjesmarrës edhe ekipi i Vllaznisë, me një përbërje të plotë me të tre grupmoshat.

Trajneri Leonat Kola është i kënaqur me gjendjen e sportistëve dhe premton suksesin edhe këtë herë. Çiklistët e Vllaznisë kanë vijuar me përgatitjet e tyre dhe gjendja duket shumë e mirë. Dy prej tyre, pikërisht Bruno Kola dhe Astrit Kronaj, vijnë nga pjesmarrja në Rrethin Çiklistik ku ndonëse e kanë patur pjesmarrjen e tyre të parë në këtë garë ndërkombëtare, kanë bërë një paraqitje shumë të mirë.

Bashkë me ta do të jenë në garat e Korçës edhe sportistët e tjerë e pikërisht Marçelo Kola, Defrim Dholla, Gjergj Zefi, Samuen Bajrami e Mateo Balaj. Padyshim që me këta çiklistë, objektivi i Vllaznisë do të jetë suksesi me të gjitha grupmoshat edhe në garën e rradhës.

Duhet thënë se trofeu “Korça” vjen pak ditë para garës më të rëndësishme kombëtare të vitit, Kampionatit Kombëtar, në të cilin po ashtu, çiklistët e Vllaznisë do të synojnë të bëjnë një prezantim sa më të mirë dhe padyshim edhe vendet e para.
© shkodrasport.com