Si çdo vit tjetër, edhe këtë herë kampionati i të rinjve dhe ai i të rriturve në atletikë, kanë qenë planifikuar të zhvillohen në fillim të muajit qershor në stadiumin e Elbasanit. Por sivjet nuk do të ndodhë kështu. Arsyeja është se më 11 qershor në këtë stadium do të luhet ndeshja e kombëtares shqiptare ndaj asaj të Moldavisë dhe Federata e futbollit nuk ka lejuar zhvillimin e asnjë aktiviteti tjetër sportiv para kësaj sfide.

Në këto rrethana, Federata e Atletikës ka qenë e detyruar t’i njoftojë të gjitha klubet për shtyrjen e këtyre dy kampionateve. Deri më sot ndërkohë ende nuk ka data zyrtare të vendosura për zhvillimin e tyre megjithatë e sigurtë është që do të zhvillohen brenda muajit qershor.

Vllaznia për meshkuj është shpallur kampione e Shqipërisë gjatë këtij viti në kampionatin e 16 vjeçarëve dhe po ashtu edhe në atë të 18 vjeçarëve. Tashmë objektivi është për t’i kompletuar këto suksese edhe me titujt kampion të 20 vjeçarëve dhe atë të të rriturve.

Kjo tregon më së miri se atletika shkodrane vazhdon të dominojë në këtë sport dhe elementi i ri me perspektivë që është pjesë e saj, garantojnë edhe vazhdimësinë. Kryetrajneri Albert Marashi është i bindur se edhe këto tituj kampionë do të vijnë në Shkodër e këtë gjë ai e bazon tek elementi që ekipi ka, po ashtu edhe tek stërvitja që zhvillohet.

Nëse Vllaznia shpallet sivjet kampione me të rriturit, ky do të ishte i 11-ti rradhazi për të dhe ky patjetër do të ishte një sukses i madh i saj.
© shkodrasport.com