Guillermo Ochoa rikthehet në futbollin europian. Portieri i famshëm meksikan, një ndër më të mirët në rolin e tij në Botëroret e fundit, do të vijojë karrierën në Serie A.
Sky Sport raporton se 37-vjeçari, të cilit i përfundon në fund të muajit kontrata me Club America, ekip ku mban shiritin e kapitenit, ka arritur akordin me drejtuesit e Salernitanës.
135 ndeshje dhe pesë pjesëmarrje në Kupa Bote numëron Ochoa me kombëtaren e Meksikës, ndërkohë që rikthehet pas 3 vitesh e gjysmë në Europë, aty ku më parë ka luajtur me skuadra si Ajaccio, Malaga, Granada dhe Standard Liege.
Portieri nga Guadalajara do të firmosë një kontratë deri në fund të sezonit me klubin nga Salerno me opsionin e rinovimit me një tjetër vit. Ochoa do të zbarkojë në Salerno të enjten e 22 dhjetorit.