Ndeshja e Ligës së Kampioneve mes Real Madrid dhe PSG do të jetë më e rëndësishmja e sezonit për “los blancos” të cilët e shohin veten shumë larg kreut të renditjes në kampionat dhe në këtë edicion e kanë përqendruar vëmendjen e tyre vetëm në arenën ndërkombëtare.

Skuadra e Zidan dëshiron me çdo kusht të mposhtë parisienët dhe për këtë arsye, edhe tifozët duan të ndjekin këtë ndeshje shumë të rëndësishme për klubin që praktikisht luan të gjithë sezonin që në sfidën e parë.

Ndaj ka filluar një garë e çmendur për bileta, e cila ka bërë që vlerat e tyre të shkojnë deri në 24 mijë euro në tregun e zi! Ata që kishin siguruar biletat sezonale, janë me fat që do të ndjekin një ndeshje të tillë, ndërsa biletat që i shitën për publikun e gjerë, “mbijetuan” vetëm 37 minuta në faqen online.

Zyrtarisht nuk ka më asnjë biletë në shitje, por në faqet e rishitjes së biletave, si ajo StubHub, ka disa të tilla, me çmime që lëvizin nga 300 euro, në 24000 euro.

Klubi është i ndërgjegjshëm që për ndeshje të tilla ka abuzime në tregun e zi, ndaj ka paralajmëruar tifozët se ata që do të zbulohen se kanë përfituar bileta në këtë mënyrë, do të mbeten jashtë “Santiago Bernabeut”‘.

Klubi bëri të ditur se biletat online duhet të shkarkohen në celularët e personave që i kanë blerë, si e vetmja mënyrë identifikimi në hyrje të impiantit, ndërsa askujt nuk do t’i lejohet printimi i tyre.