Është zhvilluar të hënën pasdite në Dubai edicio ni i dymbëdhjetë i çmimeve “Globe Soccer Awards”, një ceremoni ekskluzivisht e lidhur me futbollin, ku janë shpallur fituesit në kategori të ndryshme.

Ceremonia që zhvillohet që nga viti 2010, nderon me çmime jo vetëm futbollistët e klubet, por edhe të tjerë aktorë të lidhur me futbollin që veprojnë prapa kuintave e që janë shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij sporti. Çmimet kanë qenë të shumta dhe natyrisht që aty nuk mund të mungonte as Kristiano Ronaldo.

Portugezi i ka shtuar një tjetër trofe prestigjioz muzeut të tij të mbushur plot. Ai ka fituar çmimin e golashënuesit më të mirë në histori pasi ka kaluar shifrën e 800 rrjetave në karrierë.

Sulmuesi i Mançester Junajtidit nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni për shkak të angazhimeve me klubin e tij në Premier, por trofeun e tij e ka tërhequr menaxheri i vetë lojtarit, Zhorzh Mendesh.

Kristiano Ronaldo arriti kuotën e 800 golave në karrierë pikërisht teksa aktivizohet me “Djajtë e Kuq” në Premier Ligë. Menaxheri i lojtarit, Zhorzh Mendesh, duke tërhequr çmimin ka thënë: “Kjo është një mirënjohje e madhe, pasi arritja e tij është e jashtëzakonshme.

Nuk është e lehtë të shënosh 800 gola, vetëm Kristiano mund ta bëjë, më i miri në botë, më i miri i historisë”. Ronaldo nga ana tjetër, nëpërmjet lidhjes me internet, ka deklaruar: “Për fat të keq, nuk ndodhem në Dubai, por duke ju falënderuar për çmimin, shpresoj të jem vitin e ardhshëm”.

MBAPE – Me mjaft interes është pritur të mësohet emri i lojtarit më të mirë. Në sprintin final i pari ka mbërritur Kilië Mbape. Ylli i PSG-së ka lënë pas Robert Levandovskin, i cili ishte edhe fituesi i edicionit të kaluar.

Duke folur pas tërheqjes së çmimit, Mbape ka falënderuar klubin e tij, PSG-në, por edhe kombëtaren franceze. “Falënderoj klubin tim dhe kombëtaren franceze për mbështetjen, por ky është vetëm fillimi, dua të shkruaj historinë e futbollit”, ka thënë ai.

DOMINON ITALIA – Italia ka qenë fituesja e madhe e trofeve në ceremoninë e zhvilluar në Dubai, me katër çmime.

Kombëtarja italiane është shpallur më e mira e vitit pas suksesit në “Euro 2020”, trajneri Roberto Mançini është shpallur më i miri i vitit, ndërkohë që Xhanluixhi Donaruma është shpallur portieri më i mirë i vitit e për të kompletuar pokerin italian Leonardo Bonuçi është shpallur mbrojtësi më i mirë i vitit, të tre protagonistë me kombëtaren “axurre” në triumfin në Angli.