“Cristiano Ronaldo? Shpresoj të largohet nga Premier League“, është shprehur Eddie Howe, trajneri i Newcastle. 44-vjeçari mendon për skuadrën e tij dhe uron që pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, i cili ka edhe një vit kontratë me Manchester United, të vijojë karrierën në një tjetër kampionat.

“Ai shënon shumë gola, kështu që do preferoja të mos përballesha me të“, deklaroi tekniku i “Qymyrxhinjve”, që me sheikë në presidencë kanë ambicie dhe objektiva të mëdha për sezonin e ri futbollistik.

Klubi anglez po tenton të sigurojë shërbimet e James Maddison, mesfushorit ofensiv të Leicester City dhe kombëtares angleze. 25-vjeçari ka edhe dy kontratë me “Dhelprat”, ndërkohë që Newcastle ofron 40 milionë paund për kartonin e tij.

Trajneri Howe e vlerëson shumë lojtarin, i cili mund të luajë disa pozicione, si atë të mesfushorit të majtë. Maddison është pjesë e Leicester City prej vitit 2018, duke qenë një nga më të dalluarit tek ekipi i Brendan Rodgers.