Ish-mbrojtësi i Partizanit, tashmë futbollist i Dritës në Kosovë, Ardian Cuculi, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka folur për shumë tema. Fillimisht, Cuculi analizoi luftën për titullin kampion në Kosovë, ku skuadra e tij është një ndër favoritet për ta fituar.

Më pas, ish-mbrojtësi i kuq ka bërë një skaner për ecurinë e Partizanit, si dhe për situatën e krijuar me Ferhan Hasanin, i cili nuk ka luajtur shumë e që ky fakt ka krijuar pakënaqësi te tifozët. Cuculi theksoi se “Buba” mezi po pret që të rikthehet në fushë dhe të ndihmojë Partizanin, ndërsa sa i takon titullit kampion në Shqipëri, shpreson ta fitojnë të kuqtë.


Ardian, po luftoni për titullin kampion në Kosovë me skuadrën e Dritës. Mendoni se do t’ia dilni deri ne fund?

Normalisht, jemi në garë për titull, jemi ekipi që është kampion në fuqi dhe do të mundohemi ta ruajmë këtë status edhe këtë vit. Deri në fund, gara do të jetë shumë e nxehtë dhe shumë e luftuar dhe do të luftojmë deri në fund kundër rivalëve, Ballkanit dhe Prishtinës. Besoj se do t’i shkojmë deri në fund titullit, i kemi kapacitetet dhe mundësitë për të arritur te titulli, por le t’ia lëmë fushës.

Duket se lufta për titullin në Superiore është më e fortë se kurrë. Si e shihni rivalitetin e katër skuadrave ne krye?

Të jem i sinqertë, kjo garë është shumë e fortë mes këtyre katër ekipeve. Them që do të luftohet deri në fund dhe mendoj se ndeshjet direkte do ta përcaktojnë edhe titullin kampion.

Mendoni se Partizani, pavarësisht ecurisë jo të mirë që ka pasur, mund t’ia dale në fund të fitojë titullin kampion?

Partizani mbetet Partizani! Dua të them se ka një ekip shumë të mirë, pavarësisht rezultateve të fundit. Është bërë një punë kolosale nga ana e stafit teknik, nga ana e drejtuesve, edhe lojtarët po japin maksimumin. Cilësinë e kanë, kanë lojtarë shumë të mirë, Partizani do të jetë pretendent i fortë për titullin dhe shpresoj që do të shpallen kampionë.


Ndeshja e radhës për të kuqtë, është kundër Vllaznisë. Si e shihni këtë sfidë?

Normalisht, një sfidë shumë e vështirë. Janë dy ekipe që kanë bërë sezone tepër të mira deri më tani, së bashku me Teutën dhe Laçin. Por, mendoj se Partizani ka diçka pak më shumë se Vllaznia.


Ka pasur pakënaqësi nga tifozët për Ferhan Hasanin, për shkak të minutave të pakta që ka luajtur. Në gjykimin tuaj, çfarë nuk po shkon siç duhet tek ai, duke pasur parasysh se jeni miq shumë të mirë?

Është normale të ketë pakënaqësi nga tifozët për Ferhanin, por duhet ta dini se ka pasur një dëmtim që e ka lënë jashtë fushave. Besoj se pas ndeshjeve me kombëtaret, do të rikthehet dhe do të japë maksimumin e kontributin e tij për Partizanin. Normalisht, i mbetet stafit teknik dhe mjekësor nëse do të aktivizohet, pasi e kanë parë nga afër dhe e dinë gjendjen e tij. Unë me Hasanin flas gjatë gjithë kohës, jemi miq shumë të mirë dhe me aq sa di unë, edhe ai mezi po pret që të futet në fushë dhe të japë më të mirën e tij.

Si e parashikoni rezultatin e ndeshjes Vllaznia-Partizani?

Vllaznia pas një ecurie të mirë në fillim të sezonit, pësoi një rënie disi, në një periudhë ku nuk fitoi. Tani së fundmi u rikthye te fitorja dhe kanë motivimin e moralin e duhur. Por gjithsesi, mendoj se Partizani ka diçka më tepër. Besoj se do të jetë një sfidë interesante, por në fund është Partizani që ka një avantazh më shumë.