Vllaznia e futbollit të femrave pas titullit kampion që festoi katër ditë më parë, të hënën do të tentojë të ngrejë një tjetër trofe në futbollin shqiptar. Këtë herë bëhet fjalë për atë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja finale e këtij sezoni do të luhet përballë ekipit të Tiranës, pikërisht të hënën në orën 17.00.
Ajo që është e çuditshme, ka të bëjë me faktin se kjo finale është vendosur të luhet në stadiumin e Rrogozhinës. Larg Shkodrës, larg Tiranës, larg mediave, larg tifozëve e çdokujt tjetër. Se kush ka patur interes për ta spostuar këtë finale në Rrogozhinë, askush nuk e di.
Drejtuesit e Vllaznisë në fakt mësohet se kanë insistuar që kjo finale të luhet qoftë edhe në stadiumin e Tiranës, në “Selman Stërmasi”, apo në Elbasan e Durrës, por kërkesa e tyre nuk është pranuar.
Pavarësisht këtij fakti, objektivi i saj është një dhe i vetëm: Fitorja edhe e këtij trofeu. Ashtu si titujt kampion, edhe ky trofe i Kupës së Shqipërisë, do të jetë i 9-ti rradhazi për ekipin shkodran që vazhdon të bëjë ligjin në futbollin e femrave në vendin tonë.
Dhe kuptohet që kjo nuk ndodh rastësisht. Gjithçka është frut i punës së bërë nga stafi teknik dhe i futbollisteve, por në veçanti i menaxhimit të shkëlqyer të presidentit Lazer Matija. Pavarësisht se është finale kjo ndaj Tiranës, në kampin shkodran janë të bindur se edhe kjo ndeshje do të fitohet.
E nëse ndodh kjo, me 18 trofe në 9 vite ekzistencë, Vllaznia e femrave do të shënonte rekord pas rekordi, por ajo çka është më e rëndësishmja, të gjithë pjestarët e saj premtojnë se këto shifrat do të shkojnë edhe më tej në vitet e ardhshme./SHKODRA-SPORT.COM/