Vllaznia mori një fitore në shifrat 3-1 kundër Egntias ditën e djeshme. Një takim që ishte i vlefshëm për javën e 35-të të kampionatit dhe që lë kuqeblutë deri në javën e fundit në garë për Europë. Gjithashtu edhe debutimi i Mirel Joses në krye të shkodranëve erdhi me një 3 pikësh që shëben shumë si moral.

Por ajo që “ngroh” dhe sidomos para finales së kupës kundër Laçi është zhbllokimi i sulmueseve. E gjithë vija sulmuese e Vllaznisë gjeti golin ditën e djeshme. Duke filluar nga Ante Aralica që shënoi me kokë golin e parë.

Kjo ishte rrjeta e 9-të këtë sezon për kroatin që pavarësisht uljeve dhe ngritjeve të tij gjatë sezonit, ka qenë thuajse gjithmonë titullar. Po ashtu Liridon Latifi gjeti golin pas disa javësh “agjërim”.

Prishtinasi pas një aksioni individual shënoi golin e 12-të këtë sezon. Një rekord në karrierën e tij deri më tani. Gjithashtu ai shërbeu edhe golin e tretë për Da Silvan. Edhe braziliani është në një kuotë pozitive golash, ku ka shënuar deri më tani 7 deri në këtë pikë.

Të tre sulmuesit kanë gjetur golat, një fakt që ngroh shumë trajnerin Josa. Kjo pasi tregon që sulmi po kalon një formë optimale dhe kur në horizont është finalja e kupës kundër Laçit, ky fakt jep shpresë për fitoren në ndeshjen e 31 majit.
Endri ÇINARI