Shqipëria është duke kaluar një moment të vështirë ekonomik, teksa kriza duket se ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt edhe te futbolli. Shpenzime të shumta me rritjen e çmimeve, ndërkohë që rrogat mbeten të ulta, madje ka edhe përgjysmime.

Nga pamundësitë ekonomike, një pjesë e futbollistëve, janë të detyruar të lënë përgjysëm ëndrrën e tyre dhe pasionin për futbollin, duke marrë rrugët e emigrimit, për një të ardhme më të ndritur.

Në këto kushte është gjendur edhe futbollisti i Maliqit, Xhulian Trëndafili, që së fundmi, ndërpreu në gjysëm aventurën me skuadrën e Kategorisë së Parë, duke marrë rrugët e kurbetit.

27-vjeçari, “vari këpucët në gozhdë”, edhe pse sezoni nuk është mbyllur, ende duke emigruar drejt Belgjikës, jo për të luajtur futboll, por për të punuar.

Vlen të theksohet fakti, se klubi i Maliqit, ndodhet në vështirësi financiare, teksa së fundmi vendosi të përgjysmonte rrogat e futbollistëve, për shkak të rezultateve negative. Juglindorët janë pozicionuar në vendin e parafundit të tabelës dhe janë me një këmbë në Kategorinë e Dytë.

Pas këtij vendimi për përgjysmim të rrogave, nga Maliqi janë larguar edhe 2 futbollistët titullarë, Klejdi Rapo dhe Romario Çelniku.