Pas miqësores së fituar me rezultatin 4-0 ndaj Kastriotit, trajneri i Vllaznisë Armando Cungu në një prononcim për mediat është shprehur përgjithësisht i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij. Kuptohet që ajo ka ende për t’u përmirësuar megjithatë gjërat deri tani duket se po shkojnë mirë sipas tij.

“Përgjithësisht jam i kënaqur nga ajo çfarë skuadra demostroi në fushë sepse loja e zhvilluar ka qenë e bukur dhe rezultative. Natyrisht që nuk duhet të kënaqemi me këtë lojë dhe me këtë fitore sepse sfida shumë më të vështira kanë për të na pritur në të ardhmen megjithatë duhet të vazhdojmë punën tonë. Kemi ende për të bërë ashtu siç presim edhe përforcime”- është shprehur ai.I pyetur ndërkohë për lojtarët e huaj të ardhur në provë dhe që madje u shfaqën edhe si protagonistë me shënimin e golave, numri 1 i pankinës shkodrane ka vlerësuar në veçanti sulmuesin ganez për paraqitjen e tij. “Sa i takon mbrojtësit boshnjak, ai kishte vetëm një seancë e gjysëm në dispozicionin tonë dhe kuptohet që nuk ishte në gjendjen e tij të mirë fizike. Kemi të bëjmë me një lojtar me përvojë dhe që e organizon mirë lojën në mbrojtje por askush nuk merr përsipër të më thotë nëse ai do të vijë në formë pas njëfarë periudhe. Në këto kushte e kam në pikëpyetje të vendos për të. Ndoshta duhen edhe disa ditë më shumë për ta vëzhguar, gjithnjë nëse ai e pranon këtë gjë. Sa i takon sulmuesit, mund të them se ndryshe nga stërvitjet, në këtë ndeshje më befasoi me performancën e treguar. Mbase mund të jetë i vlefshëm për Vllazninë megjithatë të shohim”- ka thënë Cungu.

© shkodrasport.com