Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka deklaruar pas fitores me Kastriotin se e kishte menduar shumë të vështirë këtë ndeshje, pasi të tijtë kishin presionin e rezultatit. Ai ka falënderuar lojtarët për punën e bërë dhe rezultatet që kanë arritur:

“Ekipi nga java në javë po tregon rritje, si në lojë, ashtu dhe rezultate. Për mua si trajner, ishte ndeshja më e vështirë. Luajtëm kundër ekipit të fundit të tabelës dhe mund të na dënonte euforia pas Korçës dhe Partizanit.

Aq më tepër kur kundërshtari nuk ka çfarë të humbë. E kundërta ishte te ne dhe e vura re në pjesën e parë. Kjo vjen natyrshëm, sepse ishim në kërkim të rezultatit.

Pavarësisht se janë në vendin e fundit, Kastrioti është ekip që i hap probleme të gjitha skuadrave në Superiore.

Kemi punuar shumë mirë, si në fillim të sezonit, si tani. Kemi bërë një progres shumë të madh dhe që ditën e parë të kampionatit, kemi bërë ndeshje më të mira se kundërshtarët.

Por thjesht nuk kemi pas rezultate, por tani po na vijnë dhe rezultatet dhe dua të falënderoj djemtë.

Shkurtaj? Nuk është futbollisti ynë ende. Për mua, lojtar i imi është ai që shoh në stërvitje. Nuk dua të flas për këtë temë, pa dashur të paragjykoj, por ka ndodhur më përpara që transferimet e ‘sigurta’ janë prishur, prandaj nuk dua të flas.

E përsëris, në momentin që e shoh në stërvitje, është lojtar i Kukësit. Unë kam ardh këtu te Kukësi për të dhënë më të mirën, në interes të klubit dhe ekipit, jo të një individi.

Në rast se ekipi ndihet mirë me skemat e mia, nuk kam arsye pse të ndryshoj. Kështu që Rroca është i mirëpritur, ka forcat e veta. me kualitet që ka, besoj se do të adaptohet me skemat tona, nuk kemi pse të adaptohemi ne me të”. / Vipsport/