Vllaznia i është rikthyer dje përgatitjeve për sezonin e ri. Pas disa ditëve pushim, Brdaric ka bërë bashkë grupin teksa ka pasur mungesa. Disa lojtarë janë ende pranë familjeve, ndërsa të tjerë duket se kanë probleme me klubin.

Braziliani Victor Da Silva ka munguar në stërvitje, me lojtarin që e ka kaluar dëmtimin por pretendon pagat e pamarra. Një ankesë e tij në FSHF ka bërë që drejtuesit të vendosen në lëvizje, ndërsa braziliani dje nuk ka qenë në stërvitje duke pretenduar se është i dëmtuar.

Shtypi i shkruar bën me dije se drejtuesit kuqeblu mund të marrin masa, nëse fantazisti vijon me këtë sjellje. Në stërvitje munguan edhe Latifi, Bulatovic dhe Adili për shkaqe familjare.

Me shkodranët për provë është bashkuar edhe Kristi Marku e Albion Sadriaj. 26 vjeçari Marku (mbrojtës) me origjinë durrsake ka luajtur më parë me Teutën, Honved dhe Flamurtarin, teksa sezonet e fundit i ka kaluar në Pjunik dhe Trans. Sadriaj luan si shkatërrues dhe ka luajtur më parë në Zvicër.