Shqiprim Taipi është në bisedime me klu bin e Partizanit. Mesfushori nuk është më pjesë e Skënderbeut dhe zyrtarizmin e “divorcit” me klubin korçar e ka bërë ai vetë, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Mesfushori 24-vjeçar e ka parë të arsyeshme të ndajë rrugët me Skënderbeun, pas një aventure që zgjati dy vite e gjysmë.
“Përshëndetje, që nga ky moment nuk do jem pjesë e KF Skënderbeut. I falënderoj gjithë shokët e skuadrës, presidentin, qytetin e Korçës dhe tifozët që gjatë këtyre dy viteve e gjysmë ka qenë shtëpia ime e dytë. I dëshiroj suksese ekipit të Skënderbeut. Me respekt, Shqiprim Taipi”, shkroi mesfushori.
BISEDIMET – Taipi ka luajtur më parë për ekipe si Shkëndija dhe Prishtina, ndërsa tashmë, ekipi i Partizanit konsiderohet si favorit për firmën e tij. Bisedimet mes palëve janë konkrete dhe burime për “Panorama Sport” konfirmojnë se drejtuesit e kuq e kanë kontaktuar mesfushorin. Largimi i Rron Brojës ka lënë një hapësirë në mesfushë, në rolin e lojtarit defensiv para mbrojtjes, dhe Taipi shihet si alternativa e duhur nga trajneri Ilir Daja, i cili e njeh mirë mesfushorin 24-vjeçar.
Taipi e ka nisur karrierën e tij te Shkëndija e Tetovës, por nuk arriti për asnjë moment të ishte i rëndësishëm, duke u huazuar në disa ekipe. Por, tek ekipi i Skënderbeut ka pësuar një rritje tepër pozitive dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve. Edhe Tirana është në bisedime për firmën e mesfushorit, por Partizani konsiderohet si ekipi favorit për ta bindur lojtarin të hedhë të zezën mbi të bardhë.
STATISTIKAT – Taipi ka luajtur më parë nën urdhrat e trajnerit Daja, te skuadra e Skënderbeut. Nën drejtimin e strategut aktual të Partizanit, Taipi luajti 33 ndeshje në total, 29 në Superiore dhe 4 në Kupën e Shqipërisë.
Në këto sfida të luajtura, Taipi arriti të shënonte një gol dhe të asistonte një tjetër, duke qenë motori i ekipit në mesfushë. Ndërsa në sezonin e fundit, 24-vjeçari bëri paraqitje tepër pozitive, ku u aktivizua në 28 sfida, duke shënuar një gol dhe duke asistuar 6 të tjerë.