Skënderbeu është gati për ndeshjen e radhës që do të luhet sot në Shkodër përballë Vllaznisë. Pas dy humbjeve në dy fazat e para, korçarët kërkojnë revansh. Por trajneri Ilir Daja mban të përqendruar ekipin në prag të kësaj sfide.
Numri një i pankinës korçare, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se ndeshja është e një vështirësie të lartë për formën që po kalon Vllaznia dhe nga ana tjetër shmang çdo presion në lidhje me pozicionin dhe përballjet e drejtpërdrejta me shkodranët.
-Të them të drejtën, është një ndeshje me një shkallë vështirësie të lartë. Vllaznia vjen pas një fitoreje dhe do të kërkojë që të marrë më të mirën nga ky takim. Ne, nga ana tjetër, do të synojmë që të vijojmë paraqitjet e mira që kemi bërë në vitin 2020. Do të kërkojmë të dalim me maksimumin e pikëve nga kjo ndeshje. Megjithatë, për ne, e rëndësishme është që të japim më të mirën tonë në fushë.
Vllaznia ju ka mundur dy herë. A është koha për revansh?
Nuk kemi përse t’i hyjmë kësaj pjese. Janë ndeshje të kaluara dhe ne duhet të mësojmë që të reagojmë nga gabimet e së kaluarës. Jemi të bindur se ky ekip mund të bëjë shumë më mirë, prandaj nuk duam që ta mendojmë si revansh këtë ndeshje. Do ta shohim si një ndeshje radhe, pa menduar në vijimësi për takimet e tjera, por t’i marrim me radhë ndeshje pas ndeshjeje.
Skënderbeu i ndien ethet e “play out”-it?
Nëse do të shohim klasifikimin e kampionatit, veç dy ekipeve të para, pjesa tjetër deri në vendin e tetë është shumë e ngjeshur. Nga pozicioni i shtatë ku ndodhemi ne, deri në vendin e tretë në kampionat, lëvizin vetëm 6 pikë. Për këtë ne jemi të bindur se me cilësinë që kemi, mund të ngjitemi lart. Dhe do të bëjmë maksimumin tonë që të ngjitemi lart në klasifikim, atje ku i takon Skënderbeut.