Kjo javë e futbollit ka qenë pozitive për disa futbollistë shkodranë. Gola me ekipet e tyre kanë gjetur në fundjavën që lamë pas emra si: Belajdi Pusi, Erald Çinari dhe Rubin Hebaj. Duke treguar edhe njëherë atë se çfarë ka prodhuar akademia Vllaznia ndër vite.

Performancat pozitive janë vlerësuar ndaj futbollistëve shkodranë. Kështu Pusi është pjesë e formacionit më të mirë të javës së 3-të në kampionatin azer të futbollit. Pas golit që ndihmoi skuadrën e tij Turan të fitonte 0-2 në këtë raund, ish-sulmuesi i Vllaznisë ka marrë këtë vlerësim.

E njëjta gjë vlen edhe për Erald Çinarin. Edhe mëngjërashi pas golit dhe performancës që zhvilloi me Shkëndijën përballë Tikves, ka merituar formacionin e javës në Maqedoninë e Veriut. Pas nuk ngelet as Rubin Hebaj, që shënoi golin e 10-të në këtë sezon në kampionatin e futbollit në Uzbekistan.

Madje 25-vjeçari u vlerësua para pak ditësh me çmimin e lojtarit të muajit qershor. Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Botën, duke treguar cilësitë e tyre, por edhe vlerat e futbolli shkodran dhe Vllaznisë.
Endri ÇINARI