Pas fitores në javën e kaluar ndaj Lushnjës, këtë javë Vllaznia U19 nuk ka arritur dot të fitojë. Në ndeshjen e rradhës, ajo nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 2-2 ndaj Partizanit, ne nje ndeshje ku ajo ka patur shume probleme me arbitrimin.

Në “Reshit Rusi”, futbollistët e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani kanë zhvilluar një ndeshje përgjithësisht të mirë, por për rrjedhojë, nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 2-2. Nga ana e tij, Partizani kaloi në avantazh i pari me anë të Hodos.

Në fundin e pjesës së parë, Vllaznia barazoi shifrat, falë autogolit të Buxhelajt. Me këtë rezultat, do të mbyllej pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, shkodranët në fakt e kanë rritur ritmin e lojës, teksa pak minuta para fundit kalojnë në avantazh me anë të mesfushorit Pjeshka, më konkretisht në minutën e 83-të, duke dërguar shifrat në 2-1. Kur takimi dukej se do të përfundonte në këto shifra, gjyqtari kryesor i ndeshjes akordon një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol mesfushori i Partizanit, Hodo.

Përfundimisht 2-2 dhe dy ekipet ndajnë nga një pikë, duke ruajtur të njëjtat pozita në tabelën e renditjes. Për Vllaznia U19, ky barazim e mban sërish në vendin e parë të renditjes, megjithatë sot ishte mundësia për t’u shkëputur nga kundërshtari më i afërt, siç ishte Partizani.

Megjithatë, ekipi është brenda objektivit dhe jo vetëm, pasi renditet në vendin e parë, teksa është një nga pretendentët kryesorë për fitimin e titullit kampion. Rivalët kryesorë të tyre janë Partizani dhe Tirana, një rivalitet mjaft i ashpër për kreun e renditjes së klasifikimit.
Maringlen ZHIVANI