Kampionit dhe rekordmenit të Shqipërisë në garën e kërcimit së gjati, Izmir Smajlajt, Federata Botërore e Atletikës (IAAF) i ka mundësuar një stërvitje 9 mujore në Kinë. Ka qenë një kërkesë e Federatës Shqiptare të Atletikës përmes drejtuesve të saj në adresë të këtij institucioni që ka gjetur miratimin e tij për këtë stërvitje të specializuar të këtij sportisti në shtetin e largët aziatik. Atleti 21 vjeçar shkodran është nisur pak ditë më parë drejt Kinës dhe kuptohet ndonëse do jetë jo pak e lehtë të qëndrojë kaq gjatë larg familjes së tij, e bën këtë gjë me shumë dëshirë sepse karriera e tij sapo ka nisur dhe ai pretendon të shkojë larg.


“Dua të falenderoj Federatën Shqiptare të Atletikës që bëri kërkesën tek IAAF-i për këtë stërvitje dhe ajo u plotësua duke më dhënë mundësinë të stërvitem për plot 9 muaj në qendra olimpike të specializuar në Kinë. Nuk do jetë e lehtë për mua të qëndroj kaq gjatë larg familjes megjithatë objektivat e mia në sport janë të qarta dhe do të më duhet të sakrifikoj jo pak për t’i arritur ato”- ka thënë për gazeten para nisjes Smajlaj. Atleti i Vllaznia ka mbyllur një vit shumë të suksesshëm në garat e zhvilluara duke u shpallur jo vetëm kampion i Shqipërisë por duke realizuar edhe ëndrrën e tij të madhe për të thyer rekordin e kërcimit së gjati. Atë e bëri realitet në garat e muajit qershor në Tiranë kur kërceu 7.78 metra. Megjithatë tashmë kjo ëndërr ka mbetur pas sepse të tjera janë përpara për të e këtë ai e thotë hapur kur deklaron: “Nëse kam arritur ta thyej rekordin në këtë vit që po lëmë pas, unë patjetër kam të tjera objektiva për të arritur dhe besoj se rekordi do thyhet disa herë. Nga informacionet që kam, gjatë qëndrimit tim në Kinë, çdo dy javë organizohen turne të ndryshëm ndërkombëtar të cilët njihen edhe nga IAAF dhe unë patjetër që do të tentojë përmirësimin e rekordit. Me stërvitjen në kushte shumë të favorshme që do të zhvilloj atje, kjo do të jetë mëse e mundshme”. Thyerja sërish e rekordit të garës së kërcimit së gjati do jetë njëri objektiv. Por Izmir Smajlaj ka edhe një objektiv tjetër shumë të rëndësishëm që ai beson se do ta kapë deri në gushtin e vitit të ardhshëm. “Në këto mitingje ku do marrë pjesë por edhe në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në gushtin e vitit të ardhshëm, unë kam një synim: të kërcejë në distancën 8.10 metra që është edhe norma për të siguruar një vend që të çon në Lojërat Olimpike të vitit 2016. Nuk kam dëshirë të shkoj me ftesë. Dua ta arrij vetë këtë gjë. Mundësitë besoj se i kam dhe mendoj se shumë shpejt kjo gjë do të realizohet”- ka thënë ai në fund gjatë deklarimit të tij për gazetën tonë. Dhe vërtetë, nëse ai do kërcente në këtë distancë do ishte diçka fantastike për atletikën shqiptare sepse do ishte një rezultat shumë i lartë. Por përveç vetë sportistit, edhe trajneri i tij Vildan Tufi, është i bindur se Izmiri do ta realizojë këtë gjë sepse në stërvitje thuajse çdo ditë ka kapur distancën e 8 metrave.
Gjergj KOLA