Humbja e Vllaznisë ndaj Skënderbeut të dielën që shkoi ka qenë në njëfarë mënyre edhe e pritshme nisur nga diferencat që kanë dy skuadrat por nga mënyra si shkoi loja, takimi duhej të ishte mbyllur në barazim. Këtë mendim ka dhënë në intervistën e tij, golashënuesi më i mirë në historinë e klubit shkodran, Vioresin Sinani. Me 186 golat e shënuar për kuqeblutë, ai ka lënë pas gjithë të tjerët dhe po ashtu edhe me 208 golat e shënuar në tërësi në kampionatet tona, është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit shqiptar.

Ish- sulmuesi i njohur pavarësisht se e ka lënë futbollin, vazhdon ta ndjekë Vllazninë. Në këtë intervistë për gazeten, ai ka vlerësuar trajnerin Raineri, ka folur me fjalë të mirë për Sozën dhe ka dhënë një ide se ku duhet përqendruar merkatoja e drejtuesve të klubit në janar. Ja intervista e plotë e Sinanit dhënë pasditen e djeshme për gazetën tonë:
-Viori, si e gjykoni humbjen e fundit të Vllaznisë me Skënderbeun?
-Nga ajo çfarë pamë në fushën e lojës, nuk u konstatuan shumë diferenca në mes dy skuadrave por realisht, diferencat kanë qenë të mëdha në aspektet e tjera. E kam fjalën për cilësinë e lojtarëve, mbështetjen financiare etj. Për fat të keq erdhi ai 11-metërsh në minutën e fundit të takimit që i solli humbjen Vllaznisë pasi dëshiroja që ajo ndeshje të mbyllej në barazim dhe skuadra të vijonte pathyeshmërinë e saj.
-Duket se tashmë një koncept pozitiv për skuadrën shkodrane, sidomos pas rezultateve të fundit pozitive të saj, apo jo?
-Në fakt, edhe në një tjetër intervistë që kam dhënë menjëherë pasi skuadra kishte koleksionuar gjashtë humbje rradhazi, jam shprehur optimist për të. Mbi të gjitha për punën që po bënte trajneri Raineri. Pavarësisht se shumëkush mendonte në atë periudhë se ai duhej larguar, unë kisha shumë besim tek ai. Dhe këtë e tregoi më pas. Ndonëse pas 6 humbjesh rradhazi, ai diti ta mbledhë skuadrën, të luftojë fort dhe të marrë pesë fitore rradhazi duke sjellë një klimë shumë të mirë tashmë rreth saj. Për këtë arsye, gjej rastin ta falenderoj këtë trajner sepse po mundohet të bëjë më të mirë për Vllazninë.
-Si e shikoni pjesën tjetër të sezonit për Vllazninë, do jetë sërish në rrezik për rënien nga Superliga?
-Nuk mendoj kështu. Edhe për vetë mundësitë që ka skuadra për të marrë të tjera fitore por edhe për faktin se për mendimin tim, tashmë Apolonia dhe Elbasani e kanë kuptuar që nuk mund t’ia dalin dhe kanë hequr dorë nga shpresa e mbijetesës. Por gjithsesi duhet bërë kujdes deri në fund.
-Si sulmues që keni qenë, cila është përshtypja juaj për uruguajanin Soza?
-Në fillim nuk më ka lënë ndonjë përshtypje kushedi se çfarë. Ndoshta mosha e re, pak i brishtë, ndikonin në lojën e tij. Por në javët e fundit shoh se ka fituar më shumë personalitet dhe siguri. E ka ndihmuar jo pak skuadrën dhe përveç saj, është lojtari më në formë dhe kryesori i Vllaznisë në repartin ofensiv. Jam i bindur se në pjesën tjetër të sezonit do të shohim gjëra edhe më të mira prej tij.
-Pra, po thoni se e ka justifikuar blerjen e tij nga Vllaznia?
-Patjetër. Vetëm dy vetë e kanë justifikuar këtë gjë gjatë këtij sezoni. Sulmuesi Soza dhe trajneri Raineri. Të tjerët i kemi parë pak në fushë ose aspak dhe prandaj gjykoj se klubi duhet të gjejë mundësinë për t’i larguar sepse nuk i nevojiten më skuadrës.
-Meqë dolët tek merkatoja, mendoni se drejtuesit e klubit duhet të futen në merkato gjatë janarit?
– E para e punës duhet ditur objektivi që ka skuadra. Vllaznia aktualisht ndodhet në pozita disi komode në renditje. Nëse vendoset për të shpenzuar paratë në janar për të marrë lojtarë të tjerë, kjo bëhet me qëllimin për t’u ngjitur në renditje. Por këtë e shoh shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur. Katër skuadrat e para tashmë janë pozicionuar aty ku duhet dhe vështirë të lëshojnë terren. Edhe Flamurtari mund të tentojë të ofrohet ndërsa Vllaznia s’mund të shkojë më lart. Për më poshtë, e thashë që ka shumë rrezik rënie tashmë prandaj them se nuk duhet tentuar fare marrja e lojtarëve në merkaton e janarit.
-Drejtuesit e klubit duan të promovojnë futbollistët e rinj mesa duket…
-Do ishte diçka shumë pozitive. Përderisa ekipi nuk ka shumë objektiva (edhe në Kupë mendoj se nuk ka dhe aq shumë shanse), i duhet dhënë dora këtyre të rinjve. Po shohim Krymin, një lojtar që spikati në këto ndeshjet e fundit dhe pse jo, pas tij të spikasin edhe të tjerë në mënyrë që të afirmohen dhe të jenë të gatshëm pastaj për sezonin e ardhshëm.
Gjergj KOLA