Kukësi humbi me një rezultat të thellë në Hungari. Edhe pse pjesën e parë e mbylli 0-0, në 45 minutat e dyta pësoi tre gola. Kritikat nuk munguan edhe nga ana e presidentit Safet Gjici direkt pas asaj disfate kundër Debrecenit, madje u përfol edhe për një lëkundje të pozitave të trajnerit. E megjithatë është pikërisht Ernest Gjoka ai që u jep përgjigje zërave, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Tekniku analizon me detaje atë që nuk shkoi në këtë transfertë, ndërsa ngre tonet për zërat dashakeqë që e largojnë nga pankina verilindore. Shpreh keqardhje për rezultatin 0-3, por saktëson se me pak kujdes e fat, gjithçka do të shkonte ndryshe. Përgjegjësinë për gabimet i merr vetë përsipër, ndërsa mbron me fanatizëm të gjithë futbollistët.

“Presidenti është mërzitur sepse pa në fushë skuadrën e tij që me pak kujdes dhe pak më shumë fat, ndeshja mund të kishte dhënë një rezultat ndryshe. Kjo e ka shqetësuar dhe me të drejtë”- ka thene fillimisht Gjoka.

Me pas i pyetur nese e shqetesojne zerat per nje largim te mundshem nga pankina nese deshton per kualifikimin, trajneri aktual i Kukesit ka “shperthyer” duke thene:

“Nuk e kam me ju personalisht, por me të gjithë ato që kanë shkruar në portale pas ndeshjes për lëkundjen time në stolin e Kukësit. Nuk arrij të kuptoj se çfarë është kjo ligësi, paaftësi, jo qytetari?! Si ka mundësi që ekziston kjo histeri për ta parë njeriun të copëtuar, të masakruar?! Si ka mundësi që kënaqemi dhe duam vetëm gjak, si një mjet që na kënaq kur tjetrit i bëjmë varrin për së gjalli?! Nuk arrij ta kuptoj këtë lloj kënaqësie perverse!