Partizani vazhdon përgatitjet anti-Vllaznia. Sfida kundër ekipit të Brdariçit është shumë delikate dhe ndoshta më e rëndësishmja e këtij sezoni për Partizanin.

Në “Elbasan Arena”, të kuqtë do të synojnë vetëm triumfin, për të shkurtuar diferencën në gjashtë pikë.

Në seancën stërvitore, Partizani ka shtuar ritmin e përgatitjeve dhe stërvitja ka zgjatur më shumë se normalisht. Daja ka punuar me grupin fillimisht me një seancë normale, për të kaluar më pas në përgatitjen e goditjeve standarde. Kundër Teutës, Partizani u ndëshkua me anë të një goditjeje standarde dhe Daja nuk do që e njëjta gjë t’i përsëritet edhe me Vllazninë.

 

DUELI I PARË – Dueli i parë mes Vllaznisë dhe Partizanit, i luajtur në “LoroBoriçi”, u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të ekipit shkodran, falë një goli të shënuar nga sulmuesi Haris Dilaver në minutën e 86-të të sfidës.

Vllaznia e ndëshkoi Partizanin në pikën më të fortë të “demave”. Kjo, pasi Partizani ka shënuar 34.8% të golave këtë sezon në 15 minutat e fundit, 75’-90’. Por, në Shkodër, ishin djemtë e Brdariçit që shënuan në fund dhe i mposhtën të kuqtë e Ilir Dajës.

Partizani ka shënuar 23 gola këtë sezon, 12 në ndeshjet në “shtëpi” dhe 11 në ndeshjet në transfertë. Nga këta 23 gola të shënuar në 15 javë kampionat, “demat” kanë realizuar 8 herë në 15 minutat e fundit, më shumë se në çdo fraksion tjetër të lojës.

Duket se këto minuta janë pika më e fortë e Partizanit, por me shumë gjasa, të kuqtë do të tentojnë ta zgjidhin më shpejt duelin e dytë, për të mos rrezikuar si në Shkodër, aty ku provuan shijen e hidhur të humbjes.