Vioresin Sinani ose ndryshe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kampionatet shqiptare mbushi dje 45 vjeç. Urimet e para i mori nga miqtë e tij më të ngushtë, pjesëtarët e klubit dhe natyrisht tifozët shkodranë, të cilët e kanë edhe sot e kësaj dite idhull ish-sulmuesin, që ka shënuar 208 gola në kampionatin tonë si pjesë e Vllaznisë, Tiranës dhe Besës. Dje, duke përfituar edhe nga fakti se Sinani kishte ditëlindjen, “Panorama Sport” kontaktoi me ish-bomberin, i cili prej muajsh është zv.trajner i Vllaznisë. Ai foli ekskluzivisht për gazetën në lidhje me skuadrën, fitoren e fundit, por jo vetëm, teksa bëri një koment edhe për mungesën e golashënuesve tipikë, jo vetëm te Vllaznia, por përgjithësisht në futbollin shqiptar.

Mesa duket skuadra ju bëri një dhuratë të bukur për ditëlindje me atë fitore që arriti në Kukës?

Patjetër që ishte një dhuratë shumë e bukur, pasi tri pikë në një fushë si ajo e Kukësit nuk janë të lehta. Djemtë luftuan për çdo top dhe në fund meritojnë veç përgëzime.

Tri pikë me shumë vlerë pas një ndeshjeje relativisht të mirë, por sërish minutat e fundit po kthehen në një makth për Vllazninë?

Tri pikë të merituara kundër një Kukësi të vështirë dhe me lojtarë cilësorë, por Vllaznia e dominoi ndeshjen dhe mendoi se e meritoi fitoren.

A duhet që pas këtyre javëve të kishte më shumë pike në renditje?

Ju e shikoni që është një kampionat i vështirë, ku pikët nuk merren kollaj dhe pa luftuar fort me çdo skuadër.

Unë mund të them që Vllaznia lufton për pikët maksimale.

Ju vjen keq që Vllaznia në këtë sezon po vuan të gjej golin, çfarë po ndodh?

Vllaznia nga ndeshja në ndeshje po vjen duke e rritur lojën sulmuese. Disa lojtarë që vijnë nga dëmtimet dhe që luajnë në pjesën ofensive po kthehen në formën e duhur. Ekipi në ndeshjen e fundit krijoi disa raste të mira shënimi me mesfushorët e sulmuesit ku mund të shënonin disa gola, por në përgjithësi jemi të kënaqur nga kjo ndeshje.

Pas 11 javëve vjen goli i parë nga një shkodran, por gjithsesi është një mbrojtës, kur do të shënojnë të tjerë Sinanë për sulmin shkodran?

Rëndësi ka të shënohet dhe të fitohet. Hakaj ka realizuar një perlë dhe meriton përgëzime. Koha do ta tregojë, por sulmues që shënojnë shumë është vështirë të gjesh. Kur i kanë klubet, duhet t’i shtrëngojnë fort, sepse me golat e tyre i japin shumë pikë skuadrës.

Ju vjen keq si një ish-goleador që Vllaznia vuan në sulm?

Vllaznia është një superklub në Shqipëri dhe gjithmonë futbollistët e saj janë të lakmuar në Shqipëri e jashtë saj. Vllaznia zhvillon një lojë kolektive dhe goli vjen nga të gjithë repartet. Puna e sulmuesit është fat për çdo klub po pati një sulmues që shënon 20 gola në një kampionat.

Java e ardhshme ju afron një sfidë që për ju sjell përherë emocione, përballja me Tiranën?

Tiranën e respektoj, por ne kudo shkojmë për fitore. Mbetet një betejë e bukur për të gjithë ambientin futbolldashës në Shqipëri. Janë dy skuadra të traditës shqiptare. Janë dy skuadra elitare në Shqipëri.

A do të kërkojë Vllaznia një tjetër fitore në kryeqytet?

Uroj dhe shpresoj që të fitojmë. Patjetër që ne do ta kërkojmë atë. Do të luftojmë në çdo ndeshje për tri pikë.

Së fundmi duke ju uruar edhe 100 vite të tjera e asnjëherë larg Vllaznisë e futbollit, dita e lindjes iu kushtua familjes apo edhe familjes së madhe, Vllaznisë?

Po e kam kaluar edhe pranë familjes sime dhe gjithashtu pranë familjes së madhe, Vllaznia.