“Tre vite më parë, vendosa të largohesha nga kombëtarja shqiptare. Një moment i trishtë dhe shumë i vështirë për mua. Objektivi ishte që t’i jepja mundësinë zëvendësuesit tim, që të kishte kohë për të njohur futbollistët. Më ka kushtuar shumë ai vendim, por – si të gjitha gjërat e jetës – ka një fillim dhe një fund”.

Kështu e ka nisur sot trajneri Gianni de Biasi një postim emocionues në rrjetet sociale, ku kujton 3-vjetorin e largimit nga kombëtarja shqiptare e futbollit.

Njeriu i cili na dha shansin të kualifikoheshim në Kampionatin Europian 2016 sot vijon të jetë tifoz i skuadrës sonë përfaqësuese.

“Një histori e bukur, së cilës i kishte ardhur fundi. Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit, president Duka! Faleminderit të gjithë djemve të përfshirë në rrugëtimin drejt një ëndrre!

Faleminderit që më bëtë të përjetoja emocionet më të bukura sportive të jetës sime”, shkruan më tej italiani. Faleminderit ty, mister!