Të mos luash asnjë minutë me ekipin e parë në kampionat apo Kupë dhe të të vijë shansi i jetës që debutimin me fanellën e Partizanit ta bësh kundër yjeve të Romës. Kjo është historia e dy lojtarëve 19-vjeçarë të Partizanit, pikërisht qendërmbrojtësit Shkamb Baruti nga Gjakova dhe mesfushorit Donart Ibraimi nga Shkupi.

Kur formacioni i Partizanit u publikua zyrtarisht para miqësores ndaj Romës, askush nuk e njihte Barutin, por ai tashmë po bën dy vite në akademinë e kuqe dhe ekipin e parë pati fatin që të luante titullar kundër italianëve të Murinjos.

Trajneri Zoran Zekiç besoi te gjakovari dhe mënyra se si ai luajti ndaj Romës dukej sikur kishte vite në ekipin e parë. Shtatlarti është stërvitur nga Reinaldo Kalari te Partizani U-19 dhe aktualisht nga Gerd Haxhiu te Partizani U-21. Mirëpo, Zekiç e merr në ekipin e parë herë pas here dhe jo më koti Baruti luajti titullar. “Panorama Sport” mëson se klubi ka gati kontratën për shtatlartin, ndërsa e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me mesfushorin me tipare sulmuese, Ibraimi.

Ky i fundit, në ndryshim nga Baruti, ka ardhur rishtas te “demat”, pikërisht në muajt e fundit. Historia e 19-vjeçarit nga Shkupi është shumë interesante, pasi ka qenë pranë firmës me klubin turk, Istanbul Basaksehir. Mesfushori me tipare sulmuese u rrit në akademinë e Rabotniçkit dhe ra në sy me talentin e tij. Më pas shkoi në provë disaditore te Basaksehiri dy vite më parë.

Mirëpo, sipas mediave shqiptare në Maqedoni, transferimi nuk ndodhi për shkak të kërkesës së lartë që kishte Rabotniçki për kompensimin e trajnimit. Pasi debutoi në elitën e futbollit të Maqedonisë me Rabotniçkin në vitin e kaluar, e ardhmja e të riut mori rrjedhë tjetër, pasi u transferua te skuadra e Ligës së Dytë të Maqedonisë së Veriut, Kozuf.

Këtu mori minutat e duhura në sezonin e fundit dhe u pikas nga skautët e Partizanit. I riu stërvitet prej ditësh me të kuqtë dhe fillimisht është menduar që të aktivizohet me Partizanin U-21.